U vërshëllye nga tifozët e Atleticos, Alvarez ia hap derën Arsenalit
Një kthesë e papritur dhe e bujshme në të ardhmen e Julian Alvarez. Përballë murit të ngritur nga Atlético Madridi ndaj një transferimi të mundshëm te Barcelona, destinacioni i preferuar prej kohësh nga sulmuesi argjentinasi ka vendosur t’ia hapë dyert një transferimi te Arsenali para mbylljes së afatit kalimtar të verës.
Sipas asaj që raporton mediumi spanjoll “AS”, sulmuesi argjentinas po e konsideron tashmë Arsenalin si rrugëdaljen më konkrete për t’u larguar nga kryeqyteti spanjoll.
Ekziston, në fakt, vetëdija se me Barcelonën do të jetë e pamundur të arrihet marrëveshja, ndërsa fishkëllimat e tifozëve madrilenë gjatë ditës së djeshme kanë lënë gjurmë.
Gjithmonë sipas medias spanjolle, drejtuesit e klubit londinez kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me rrethin e lojtarit gjatë periudhës së fundit.
I transferuar në vitin 2024 nga Manchester City dhe i blinduar me një kontratë deri në vitin 2030, argjentinasi konsiderohet i paprekshëm nga drejtuesit e klubit spanjoll.



