DioGuardi dhe Powles në Bibliotekën Kombëtare, vlerësohet kontributi i tyre për Kosovën
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, mirëpriti në takim Joseph J. DioGuardi, ish-kongresmenin amerikan dhe themeluesin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL), Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për çështjet e Ballkanit në këtë organizatë, dhe juristin britanik Steven Powles KC, specialist i së drejtës penale ndërkombëtare, krimeve të luftës dhe të drejtave të njeriut.
Prania e tyre në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ishte një rast i veçantë për të shprehur mirënjohjen dhe respektin për kontributin e tyre shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës dhe të së drejtës së popullit të saj për liri, demokraci dhe pavarësi.
Që nga themelimi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në vitin 1989, Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi kanë qenë zëra të fuqishëm në Uashington dhe në arenën ndërkombëtare për sensibilizimin e institucioneve amerikane dhe opinionit publik mbi gjendjen e shqiptarëve në Kosovë.
Steven Powles KC në vitin 1999 punoi në Kosovë me International Crisis Group, në kuadër të punës për hetimin e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit.
Përmes punës së tyre me Kongresin e Shteteve të Bashkuara, institucione të ndryshme dhe figura të rëndësishme politike, ata kontribuuan në vendosjen e çështjes së Kosovës në agjendën e politikës së jashtme amerikane.
Për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, takimi i sotëm ishte një moment kujtese, nderimi dhe mirënjohjeje për miqtë që i qëndruan pranë Kosovës në rrugëtimin e saj drejt lirisë dhe pavarësisë.



