Si i njoha Isuf dhe Skënder Halucin

25 gusht 2026 | 13:18

Shkruan: Ernal Mulosmani

Në një ditë të ftohtë nëntori të vitit 1983 po kthehesha nga Bujani, katundi ku jetonte gjyshja ime. Shkoja atje çdo fundjavë për tu kthyer të nesërmen bashkë me ndonjë furnizim vezësh, djathi apo turshish – një përpjekje e saj për të ndihmuar sa të mundej jetesën tonë të vështirë në qytet. Sapo kisha mbushur 14 vjeç.

Prej kohësh në zonën e Tropojës ishte krijuar një situatë terrori. Çdo ditë thyhej një dyqan, vidhej ç’të mundej dhe në fund dëmtohej ajo që s’mund të merrej. Psh, kishte dyqane ku hapeshin pakot e sheqerit, të orizit, makaronave dhe përziheshin. Ishte një tension i jashtëzakonshëm, një sabotim i pastër.
Qytetarët për herë të parë filluan të ndjenin pasiguri. Policia ruante fjala vjen një dyqan në Babinë, banda thyente një tjetër në Geghysen. Legjendat dhe fantazitë si gjithmonë ishin pafund. Kush po e sfidonte kaq hapur një regjim të pamëshirshëm?!
Thyerjet dhe sabotimet zgjatën bukur shumë. Ndoshta mbi një muaj. Çdo ditë nga një dyqan.

Derisa një ditë u hap si rrufeja lajme: “Kanë arrestuar Isuf Halucin”!

Isufin nuk e kisha parë kurrë. Ai sigurisht dilte në qytet por mua nuk më kishte qëlluar të ma tregonte dikush: “Ky është Isufi”! Flitej se ishte i pashëm, i fortë fizikisht dhe trim. Ekzistonin legjenda për të. Në vitin 1983 duhej të ishte 25-30 vjeç.

Siç ndodh me gangsterët, legjenda e tyre rritet në përpjestim të drejtë me fatkeqësinë e tyre. Arrestimi i tij tregohej në 100 mënyra: “E kanë arrestuar në gjumë se s’ka lindë akoma ai bir nëne që ta arrestojë Isuf Halucin” – më thohin shokët e klasës që zinin be se e kishin pa vetë atë duke rrah “tre tiransa” te turizmi “tek pull”.

Arrestimi i Isuf Halucit ishte një ngjarje që mund të mbante qytetin me vite të tëra thashetheme. Të vërtetat ishin me pikatore sigurisht. Por të kthehemi te historia që e kam parë me këta dy sy.

Arrestimi i tij kishte ndodhur më duket në ditë të enjte. Kur unë po kthehesha nga gjyshja ishte e dielë paradite. Rreth orës 11. Nisesha herët që të kisha kohë. Pasi kalova përroin e Shydenicës që ndan Bujanin me qytetin dhe po ngjitesha i lodhur maloren e vogël që të nxjerr te Turizmi, pashë që në zonën e Turizmit, shkollës tetëvjeçare dhe rreth Stadiumit të Lojërave me Dorë ishte një mizëri njerëzish. Rrinin në heshtje të thellë dhe soditnin spektaklin e ofruar nga Dega e Brendshme. Zemra më rrahu fort, e mora me mend që do ishin të arrestuarit e kohëve të fundit.
Gjeta një shok diku dhe e pyeta çfarë po ndodhte. Më tha:

-“Shshshsh, po nxjerrin të burgosurit e parmbrëmshëm, po i nisin për Tiranë”

-“E kanë nxjerrë Isufin”? -pyeta gjithë kuriozitet

-“Po më tha, nxorën të parin atë dhe Shpend Çelën”.

U mërzita. Doja ta shihja me sytë e mi Isufin. Por e pashë që “spektakli” nuk kishte mbaruar. Duhej të kishte ende të burgosur të tjerë.
Dega e Brendshme ishte mbi Muzeun e Qytetit, një vend i frikshëm që edhe 100 metër përpara të fuste të dridhurat. E kisha makth.

Befas u shfaq i burgosuri i radhës. Ishte Skënder Haluci. Skënderin e njihja mirë, ndërkohë që isha në 8-vjeçare ai ishte në Gjimnaz. Aso kohe ishte 20-21 vjeç. I brishtë. Mu duk i frikësuar. E kishin lidhur me litar të gjithin dhe dikush ia mbante litarin nga mbrapa dhe e shtynte.

Ndjeva një afërsi me të, një mëshirë dhe simpati. Mu duk i marrë fund. U drithërova nga frika: “Këta janë kafshë” -mendova dhe për një çast u futa në lëkurën e Skënderit. Ishte e tmerrshme. Nuk mendova se del më i gjallë. Përndryshe pse do ta bënin gjithë këtë terror publik terroristët? Dhe duhet shtuar këtu që terrori u futej në palcë shikuesve.

Jeta ecte por në qytet gjithmonë flitej për Isufin, Skënderin. “Janë thyer” -thoshte dikush që menjëherë prekte sedrën tonë kundërshtuese të etur për heronj. E doja Skënderin sepse ishte shumë i ri. U dënuan me vdekje por shpëtuan të gjithë.

Koha kaloi, erdhi demokracia, u liruan nga burgu. Ato 8 vjet burg e kanë plakur robin sa për 20 normalë. Isufi u vra më 1991.

Ndërsa Skënderi jetoi. Mbaroi arsimin e lartë për jurist dhe u bë gjykatës. Ishte Kryetar i Gjykatës së Vlorës për ca kohë. Nuk e di si ka qenë si gjykatës dhe nuk është objekt i këtij shkrimi.

Kam disa ngjarje sporadike që më lidhin me të.

Nga mesi i viteve ’80, vajza e hallës sime, një martire e kohëve terroriste, Merita, u martua me djalin e xhajës së Skënderit, Rizanë. Kishin fat të përbashkët, ishin viktima politike të regjimit. Zgjedhjet për ta ishin të kufizuara, mund të martoheshin veç me njëri tjetrin. Dy të rinj bukuroshë që jetonin përditë nën dhunën psikologjike dhe terrorin e Sigurimit. Një martesë pa bujë e zhurmë, pa dasmorë. Rizai ishte 2 metër djalë, shumë i pashëm. Kur dilte në qytet binte në sy për sharmin edhe për historinë e familjes. Ishte i sëmurë me një sëmundje të pashërueshme. Kjo e bënte edhe më misterioz e interesant në sytë tanë. Në shtëpinë e tyre në fshat, majë një kodre jo larg qytetit, shkonte pakkush; vetëm ata që ndanin të njëjtin fat.

Nga viti 87 duke u vërdallosur në qytet, më thotë:

“A po vjen te shtëpia, takoje Meritën”?

U drodha pak. Kisha frikë por edhe shumë dëshirë. U nisëm bashkë. Merita u mallëngjye, rrallë shkonte dikush i saj, frika u diktonte distancën. Ishte një pasdite mbresëlënëse, e paharruar. Në fund u ktheva në shtëpi me ndjesi të turbulluara…

Rizai vdiq shpejt, shumë i ri në të 30-at duke e lënë Meritën vejushë me një djalë të shkëlqyer, Ildin. Në demokraci jeta e tyre pa dritë më në fund. Dhe mentori kryesor i Ildit ishte Skënderi. Ishte amaneti i Rizait. U pamë në dasmën e Ildit në Laç. Sa herë takoheshim shkarazi më thoshte “Dua të rrimë një ditë bashkë”. Unë doja edhe më shumë por kurrë nuk ndodhi. Doja ta pyesja për atë ditë të tmerrshme nëntori kur e pashë të lidhur në prag të asgjësimit moral e fizik.

Gjatë bisedave me Fatos Lubonjën e kam pyetur për Skënderin, Isufin e të tjerët. Kishte ndarë kohët e tyre të fundit në burgjet e diktaturës. Më ka treguar plot histori interesante për ta. Duhet të ketë vuajtur shumë kohët e hetuesisë. Bisha nuk falte kur të kishte në kthetra. Por kurrë nuk e humbi qëndresën dhe dinjitetin.

Më mbeti merak që nuk e bëra atë bisedë të imagjinuar me Skënderin. Le të jetë ky tekst i vonuar një homazh për të. Një shenjë respekti për një djalë që u akuzua me akuza monstruoze ndër të cilat edhe për një atentat imagjinar ndaj Ramiz Alisë. Një jetë plot dramë por edhe bunacë në fund. Një qetësi e merituar. Qofsh i paharruar Skënder!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jasir Asani ka hyrë në historinë e futbollit iranian me…