Ish-diplomati amerikan: Rusia po shfrytëzon përçarjet në Ballkanin Perëndimor

25 gusht 2026 | 11:32

Integrimi i papërfunduar i Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane dhe euroatlantike po krijon hapësirë që Rusia të shfrytëzojë përçarjet politike dhe shoqërore në rajon. Kështu ka deklaruar Matthew Palmer, ish-përfaqësues special i Sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për agjencinë “FENA”.

Palmer, i cili e njeh nga afër rajonin, ka paralajmëruar se Ballkani Perëndimor mbetet veçanërisht i cenueshëm ndaj ndikimeve të jashtme për shkak të ndarjeve të brendshme.

“100 për qind. Kemi parë interesin e Rusisë për të identifikuar çarjet, ndarjet, boshllëqet dhe pikat e dobëta në strukturat evropiane dhe më pas të fusë pikërisht aty kunja, duke u përpjekur t’i zgjerojë ato”, ka thënë Palmer.

Sipas tij, Rusia vepron si në nivelin politik, ashtu edhe në atë shoqëror, ndërsa është aktive edhe në hapësirën online.

“Ballkani është veçanërisht i cenueshëm sepse është i ndarë në shumë mënyra, i ndarë kundër vetvetes. Rusët kanë qenë të aftë dhe agresivë në shfrytëzimin e këtyre dallimeve”, ka deklaruar ai.

Palmer: Integrimi në BE dhe NATO është më i rëndësishëm se kurrë

Palmer ka vlerësuar se ndryshimet në mjedisin evropian të sigurisë e bëjnë edhe më të domosdoshëm integrimin e Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

“Ndryshimet në hapësirën evropiane të sigurisë vetëm sa e theksojnë rëndësinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se forcimi i kapaciteteve evropiane të sigurisë nuk duhet të nënkuptojë dobësimin e partneritetit transatlantik, por një Evropë më të aftë për të marrë përgjegjësi për sigurinë e saj.

Sipas Palmerit, shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një nxitje të shtuar për t’i forcuar lidhjet me BE-në dhe NATO-n.

Paralajmërimi për Bosnjë-Hercegovinën

Duke folur për Bosnjë-Hercegovinën, Palmer ka thënë se një nga problemet kryesore mbeten ndarjet e brendshme dhe mungesa e një ndjenje të përbashkët të përkatësisë shtetërore.

Ai ka bërë thirrje për forcimin e shtetit, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e institucioneve demokratike.

Sipas tij, është e rëndësishme që të rinjtë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, ta shohin të ardhmen në vendin e tyre.

“Duhet të zhvillohet një ekonomi që do t’i inkurajojë të rinjtë e Bosnjë-Hercegovinës, pavarësisht identitetit të tyre etnik, të qëndrojnë në Bosnjë-Hercegovinë, të ndërtojnë jetën e tyre dhe të krijojnë familje këtu”, ka thënë Palmer.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se kërcënimet ndaj Evropës në vitet e ardhshme nuk do të vijnë domosdoshmërisht vetëm nga konfliktet mes shteteve, por mund të burojnë edhe nga problemet e brendshme.

Në këtë drejtim, ai ka veçuar luftën kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit, demokracinë dhe ekonominë e qëndrueshme si faktorë kryesorë të sigurisë.

“Një kontinent i ndarë kundër vetvetes është një kontinent i cenueshëm ndaj kërcënimeve të jashtme”, ka përfunduar Palmer.

Palmer pritet të marrë pjesë në fillim të shtatorit në “Sarajevo Security Conference”, që do të mbahet nga 4 deri më 6 shtator dhe ku pritet të mblidhen zyrtarë ndërkombëtarë, diplomatë, përfaqësues ushtarakë dhe ekspertë për të diskutuar sfidat e sigurisë në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar…