Çeku: Brenda ditës pritet të caktohet vlera e subvencionimit për tekstet shkollore

26 gusht 2026 | 12:33

Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, ka deklaruar se negociatat për çmimet e teksteve shkollore me shtëpitë botuese janë drejt përfundimit dhe se brenda ditës pritet të caktohet edhe vlera e subvencionimit.

“Tashmë jemi krejt në fund të negociimit. Besojmë që brenda ditës me e përmbyll dhe me caktu edhe vlerën e subvencionit dhe menjëherë me nis me ekzekutimin e pagesave, që prindërit t’i kenë këto ditë deri në nisjen e mësimit të martën, kohë të mjaftueshme për t’i blerë tekstet dhe materialet shkollore”, ka deklaruar ai.

Çeku ka thënë se librat kanë dalë në shitje në kohën kur ende po negocioheshin çmimet, duke e konsideruar këtë shkelje.

“Ne ishim duke i negociuar çmimet me shtëpitë botuese dhe në atë moment dolën në shitje librat. Kjo është shkelje, nuk bën kështu, sepse nuk ka përfunduar as negociimi, as përcaktimi i çmimeve, as vlera e subvencionit”, është shprehur ai.

Sipas tij, për këtë çështje Ministria do t’u drejtohet organeve përgjegjëse.

“Dhe për atë, ne do t’i drejtohemi organeve përgjegjëse, sepse ata prindër duhet të kompensohen nga ata që e kanë bërë këtë shkelje”, ka deklaruar Çeku.

Ministri në detyrë i Arsimit ka theksuar se prioriteti tashmë është përfundimi i negociatave dhe realizimi sa më i shpejtë i pagesave për prindërit.

“Ne tashmë fokusin e kemi te kjo fazë ku jemi. Duhet ta përfundojmë negociimin, vlerën ta caktojmë të subvencionimit dhe të bëhen transferet shumë shpejt, në mënyrë që prindërit në këto ditë të mbetura, pra katër-pesë ditë deri në nisjen e vitit shkollor, të kenë kohë të mjaftueshme që bashkë me fëmijët e tyre t’i blejnë tekstet dhe materialet”, është shprehur ai.

Çeku ka bërë të ditur gjithashtu se janë bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

“Të gjitha përgatitjet janë në atë drejtim. Sot ishim edhe në këtë diskutimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, ku edhe policia konfirmoi që e ka përgatitur planin operativ, këtë që e bën çdo vit, që viti të nisë mbarë: me siguri, me tekste shkollore, me material shkollor dhe me të gjitha përgatitjet e nevojshme që të na shkojë mbarë gjithçka”, ka deklaruar Çeku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për…