Gjykata tregon si u qëllua Nafija në veturë dhe vëllai i saj, Valon Ramushit i caktohet një muaj paraburgim
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Valon Ramushi, i cili dyshohet për kryerjen e dy veprave penale: “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas njoftimit të gjykatës, më 9 tetor 2026, rreth orës 14:21, në fshatin Livoç i Ultë, i pandehuri dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën N. B., dhe vëllain e saj, tani të ndjerin E. B. Po ashtu, ai dyshohet se ka plagosur rëndë M. B. dhe ka rrezikuar jetën e R. B.
Sipas gjykatës, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshjeje, motivet e së cilës ende nuk dihen. Fillimisht, i pandehuri, së bashku me bashkëshorten, kishte shkuar në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, te familja e saj, por më pas ishin nisur sërish drejt Gjilanit.
Ndërkohë, M. B. dhe R. B., së bashku me E. B., tani të ndjerin, po udhëtonin pas tyre me një veturë të tipit pikap, Opel Combo, me targa 239-HM, me qëllim që të bisedonin me ta.
Në hyrje të fshatit Livoç i Ultë, ata e kishin tejkaluar veturën e të pandehurit dhe ishin ndalur për ta pritur. Megjithatë, Ramushi, me veturën Volkswagen Tiguan, me ngjyrë të zezë dhe targa 06-767-HK, kishte vazhduar drejt Gjilanit.
Gjatë rrugës, sipas gjykatës, ai dyshohet se kishte qëlluar me armë të llojit Beretta, me numër serik PX321722, nga një distancë e afërt, në drejtim të bashkëshortes së tij, N. B., e cila ishte ulur në ulësen e përparme të pasagjerit, duke e privuar nga jeta.
Më pas, i pandehuri dyshohet se ishte kthyer në një rrugë tjetër, në hyrje të fshatit Livoç, ku e kishte ndalur veturën pas pikapit, në të cilin ndodheshin personat e tjerë.
Sipas përshkrimit të gjykatës, pasi ata kishin dalë nga vetura, i pandehuri kishte dalë gjithashtu, duke mbajtur armën në dorë, dhe u ishte drejtuar me fjalët: “Unë jetën e humba se grujën e vrajta, edhe juve kam me ju vra”.
Menjëherë pas kësaj, ai dyshohet se kishte shtënë në drejtim të tyre. R. B. kishte arritur të largohej, ndërsa M. B. ishte plagosur, por kishte arritur të ikte në oborrin e një shtëpie aty pranë.
Ndërkaq, E. B. nuk kishte arritur të largohej dhe, sipas gjykatës, i pandehuri e kishte privuar nga jeta në vendin e ngjarjes, duke shtënë disa herë në drejtim të tij.
Pas ngjarjes, Ramushi dyshohet se e kishte dërguar veturën e tij, në të cilën ndodhej trupi i pajetë i N. B., në oborrin e Spitalit Rajonal të Gjilanit, përpara hyrjes së Emergjencës, dhe e kishte lënë aty. Më pas, ai ishte paraqitur në polici dhe ishte dorëzuar.
Sipas gjykatës, me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit. Duke i marrë për bazë të gjitha ato që u thanë më lart, masat e tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Palët kanë të drejtë të ankohen kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.



