‘Kosova po pret’, edhe nga Tirana bëhet thirrje për protestën e 12 shtatorit
Katër ditë para datës 16 shtator, kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, në Prishtinë do të mbahet më 12 shtator “Marshi për Liri”, me moton “Kosova po pret”.
Njoftimi për këtë aktivitet është shpërndarë edhe në Tiranë. Në disa ekrane të vendosura në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit shqiptar, ku zakonisht shfaqen reklama, prej së mërkurës po transmetohet edhe njoftimi për marshin, raporton “A2 CNN”.
“Marshi për Liri” do të mbahet në Prishtinë, ndërsa organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë që t’i bashkohen aktivitetit.
Ndërkohë, në Prishtinë ka nisur edhe numërimi mbrapsht deri më 16 shtator. Në Bulevardin “Nëna Terezë” është vendosur aktiviteti “Ora e Pritjes”, ku një ekran i madh shfaq ditët, orët, minutat dhe sekondat deri në datën kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.



