Sa mund të dënohet Fatmir Sheholli për spiunazh dhe shantazh?

26 gusht 2026 | 14:48

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për dy vepra penale, spiunazh dhe shantazh.

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ka vepruar në interes të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), duke dëmtuar interesat e shtetit të Kosovës. Dosja e Prokurorisë Speciale përmban rreth 80 faqe, ndërsa akuzat janë mbështetur, sipas Prokurorisë, në prova materiale.

Dënimi për spiunazh

Në rast se shpallet fajtor për veprën penale të spiunazhit, Sheholli mund të dënohet me jo më pak se pesë vjet burgim.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës përcakton: “Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim”.

Kjo do të thotë se, për këtë vepër, ligji përcakton një minimum prej pesë vitesh burgim.

Dënimi për shantazh

Për veprën tjetër penale, shantazhin, Kodi Penal parasheh dënime me gjobë dhe burgim. Në rrethana të caktuara, dënimi mund të arrijë deri në 10 vjet burgim.

Në rastet kur vepra kryhet nga anëtari i një grupi, me përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, ose kur rezulton me përfitim të kundërligjshëm mbi 10 mijë euro, Kodi Penal përcakton: “Kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet”.

Sa mund të jetë dënimi?

Nëse Sheholli shpallet fajtor për të dyja veprat, dënimi përfundimtar nuk mund të përcaktohet vetëm duke mbledhur automatikisht minimumin e njërit dhe maksimumin e tjetrit. Gjykata do të vlerësojë veprat konkrete, rrethanat dhe provat dhe do të caktojë dënimin sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.

Pra, në bazë të dispozitave të përmendura, spiunazhi është vepra me dënimin minimal më të lartë – së paku 5 vjet burgim, ndërsa për shantazhin, në rrethanat e specifikuara, parashihet 1 deri në 10 vjet burgim dhe gjobë.

Sheholli, ndërkaq, konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. /Klan Kosova

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka mbajtur një…