UP-ja nderon çiftin DioGuardi me titullin ‘Doctor Honoris Causa’

26 gusht 2026 | 13:41

Ish-kongresisti amerikan, Joseph J. DioGuardi dhe bashkëshortja e tij, Shirley C. DioGuardi janë nderuar nga Universiteti i Prishtinës (UP) me titullin “Doctor Honoris Causa”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre shumëvjeçar në mbështetje të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve.

Në ceremoninë solemne është vlerësuar angazhimi i tyre politik, diplomatik dhe njerëzor, si dhe roli në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka thënë se ceremonia nuk përfaqëson vetëm nderimin e dy personaliteteve, por edhe të miqësisë dhe përkushtimit ndaj Kosovës.

“Sot nuk po nderojmë vetëm dy personalitete të shquara, kongresistin Joe DioGuardi dhe veprimtaren Shirley Cloyes DioGuardi, por po nderojmë një miqësi, një përkushtim dhe një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë të përbashkët. I kanë dhënë Kosovës zë atëherë kur zëri i saj mezi dëgjohej. I kanë dhënë miqësi atëherë kur ajo kishte shumë nevojë për miq, dhe i kanë dhënë shpresë atëherë kur shpresa ishte ndër gjërat më të rralla”, ka thënë Hajrullahu.

Ai ka rikujtuar poezinë “Jepni për Nënën” të Fan Stilian Nolit dhe vargjet “Mbahu nënë, mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, duke theksuar se gjatë viteve ’80 dhe ’90, kur Kosova përballej me represion, diskriminim dhe shkelje të të drejtave themelore, këto vargje ishin shndërruar në një premtim moral se Kosova nuk ishte vetëm.

Hajrullahu ka thënë se në periudhat më të vështira, kur e ardhmja e Kosovës ishte e pasigurt, populli i saj e dinte se kishte zëra të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara.

“Njëri prej atyre zërave ishte Joseph DioGuardi, i cili së bashku me Shirley Cloyes DioGuardi, me shqiptaro-amerikanët dhe me miqtë e tyre brenda institucioneve amerikane, punuan me një përkushtim të jashtëzakonshëm që e vërteta për Kosovën të dëgjohej, që padrejtësia të mos normalizohej dhe që një popull i shtypur të afrohej hap pas hapi drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë”, ka thënë ai.

Rektori ka përmendur edhe punën e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në informimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit amerikan për çështjen e Kosovës. Në këtë kuadër, ai ka veçuar vizitën e 29 gushtit 1990, kur shtatë senatorë amerikanë, të udhëhequr nga Robert Dole, kishin ardhur në Prishtinë për një mision faktmbledhës.

Hajrullahu ka thënë se takimi i senatorëve amerikanë me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe përfaqësues të tjerë të lëvizjes politike të Kosovës, mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së re të Kosovës.

“Ajo vizitë ishte më shumë se një takim politik, ishte një dëshmi se Kosova kishte filluar të hynte në ndërgjegjen politike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, profesoresha asistente Luljeta Plakolli-Kasumi, duke folur për veprën e Joseph dhe Shirley DioGuardi, ka thënë se për gati katër dekada ata kanë ndërtuar një partneritet të veçantë që i ka dhënë Kosovës zë politik, bazë dokumentare, profil vullnetar dhe prezencë analitike në audiencat ndërkombëtare.

“Megjithatë, secili prej tyre ka kontribut të dalluar që meriton të trajtohet veçmas, sepse rruga e tyre drejt këtij angazhimi ishte e ndryshme, mjetet të cilat përdorën ishin komplementare dhe gjurmët që lanë janë po aq individuale sa edhe të përbashkëta”, ka thënë ajo.

Plakolli-Kasumi ka bërë të ditur se Joseph J. DioGuardi ka lindur më 20 shtator 1940 në Bronx të Nju Jorkut, në një familje me rrënjë arbëreshe, ndërsa para angazhimit politik kishte ndërtuar karrierë si kontabilist i certifikuar publik.

Në vitin 1984, DioGuardi ishte zgjedhur deputet i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së nga Nju Jorku, duke u bërë kontabilisti i parë i certifikuar që hynte në Kongresin amerikan.

Gjatë mandatit në Kongres, krahas angazhimit për reformën financiare federale dhe transparencën buxhetore, ai kishte filluar të ngrinte zërin për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, në një periudhë kur kjo çështje pothuajse nuk ishte pjesë e agjendës së politikës së jashtme amerikane.

Plakolli-Kasumi ka thënë se në gjysmën e dytë të viteve ’80, kur autonomia e Kosovës po shkatërrohej sistematikisht, arsimi në gjuhën shqipe po mbyllej dhe shqiptarët po largoheshin nga vendet e tyre të punës, DioGuardi ishte ndër politikanët e parë amerikanë që kishte tërhequr vëmendjen e institucioneve amerikane për këto zhvillime.

“Në vend që të fliste për krizën, DioGuardi paralajmëroi për të”, ka thënë ajo.

Ish-kongresisti amerikan, Joseph J. DioGuardi, ka thënë se është shumë i prekur nga marrja e titullit “Doctor Honoris Causa”, duke theksuar se gjatë jetës së tij u është përkushtuar njerëzve dhe jo pasurisë.

“Kjo është një ngjarje kaq e mrekullueshme. Nuk e keni idenë se sa i prekur jam për këtë. U kam përkushtuar jetën time njerëzve të tjerë, jo parasë”, ka thënë DioGuardi.

Ai ka treguar se gjatë jetës është angazhuar për të drejtat e njeriut dhe për njerëz të ndryshëm, duke përmendur edhe përpjekjet për njohjen dhe nderimin e heronjve me ngjyrë të luftërave amerikane.

DioGuardi ka folur edhe për rëndësinë e trajtimit të grave dhe familjes, duke treguar se është rritur në një familje ku kishte parë nënën e tij duke mbështetur babanë shqiptar.

“Kjo është mënyra se si rriten fëmijët me vlera. Mënyra se si u rrita unë, përmes shembullit”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se familja është një vlerë shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe ka thënë se dëshiron të kontribuojë në ndryshimin e historisë dhe në kundërshtimin e, siç i ka cilësuar, gënjeshtrave të thëna për popullin shqiptar.

Ndërkaq, Shirley C. DioGuardi e ka cilësuar ceremoninë dhe prezantimin e punës së tyre si të jashtëzakonshme dhe të detajuar, duke kujtuar angazhimin e përbashkët gjatë luftës në Kosovë dhe rrugëtimin deri në ditët e sotme.

“Kjo ishte prezantimi më i shkëlqyer, një prezantim i detajuar”, ka thënë ajo.

Shirley DioGuardi ka treguar se kishte ardhur në Prishtinë duke menduar se do të mbante vetëm një fjalim pranimi për titullin “Doctor Honoris Causa”, por ceremonia kishte sjellë shumë më tepër kujtime dhe tema për të cilat duhej të flitej.

“Është një nder dhe privilegj të jem me ju këtë mëngjes dhe ta pranoj këtë”, është shprehur ajo.

Ajo ka falënderuar rektorin Arben Hajrullahu dhe kolegët e tij për vendimin për t’i nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa”, duke thënë se e vlerësojnë thellësisht njohjen për punën e tyre dhe punën e Bordit të Drejtorëve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane.

Shirley DioGuardi ka thënë se shumë prej anëtarëve të Ligës po festonin në Prishtinë përpjekjet për të ruajtur të gjallë historinë shqiptare të Kosovës dhe për të çuar përpara të ardhmen e Kosovës, së bashku me trojet e tjera shqiptare.

Ajo ka përmendur se në këtë angazhim janë përfshirë njerëz nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Çamëria.

Shirley DioGuardi ka treguar gjithashtu se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ajo dhe Joseph DioGuardi nuk kishin qenë më në pozitë për t’i vazhduar vizitat dhe angazhimet në të njëjtën mënyrë, ndërsa kanë vërejtur edhe ndryshime të mëdha në qeverisjen e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e re e Hungarisë e ka përcaktuar Rusinë si…