Vetëm 52% e nxënësve ndihen të sigurt në shkolla, Ismaili-Ahmeti: Kjo duhet të shqetësojë çdo qeveri
Ish-deputetja Besa Ismaili-Ahmeti ka ngritur shqetësimin për sigurinë e nxënësve në shkollat e Kosovës, duke iu referuar të dhënave sipas të cilave vetëm 52 për qind e nxënësve ndihen të sigurt në ambientet shkollore.
Përmes një postimi, Ismaili-Ahmeti ka thënë se kjo përqindje është alarmuese dhe se siguria nuk duhet të trajtohet si luks, por si bazë e një sistemi të mirë arsimor.
“52% është ALARM! 52% nuk është as notë kaluese”, ka shkruar ajo, duke theksuar se kjo duhet të jetë shqetësim për çdo qeveri që e konsideron arsimin prioritet.
Sipas saj, çdo prind dhe familje pret që fëmijët të kenë një mjedis të sigurt në shkollë.
“Një fëmijë që nuk ndihet i sigurtë, nuk mund të ndihet i lirë as për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të ëndërruar”, ka deklaruar Ismaili-Ahmeti.



