Sermaxhaj largohet nga posti i selektorit të Kosovës
Sami Sermaxhaj nuk do të jetë më selektor i Kombëtares së Kosovës në futboll për femra. Largimin e tij nga kjo pozitë e ka bërë me dije vetë Sermaxhaj të enjten, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ai ka falënderuar Federatën e Futbollit të Kosovës dhe presidentin e saj, Agim Ademi, për mbështetjen dhe besimin gjatë periudhës së tij si selektor. Sermaxhaj ka shprehur mirënjohje edhe për stafin e tij dhe futbollistet e Kombëtares, duke vlerësuar përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre.
“Puna me to ishte kënaqësi e jashtëzakonshme dhe privilegj shumë i madh për mua. Jam krenar për përkushtimin, profesionalizmin dhe shpirtin e tyre luftarak, si brenda ashtu edhe jashtë fushës”, ka shkruar Sermaxhaj.
Sermaxhaj e kishte marrë drejtimin e Kombëtares së Kosovës për femra në tetor të vitit 2024, ndërsa pas largimit nga posti i selektorit pritet të rikthehet në futbollin e klubeve.
Sipas raportimeve, Sermaxhaj mund ta marrë drejtimin e Ballkanit të Suharekës, pasi klubi i ka dhënë fund bashkëpunimit me trajnerin kroat Mislav Karoglan. Nëse marrëveshja realizohet, Sermaxhaj do të rikthehej në futbollin e klubeve, këtë herë në krye të një prej skuadrave kryesore të Superligës së Kosovës.



