Familjarët e personave të zhdukur vizitojnë lokacionin e varrit masiv në Zubin-Potok
Familjarët e personave të zhdukur, së bashku me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe Institutin për Mjekësi Ligjore, kanë vizituar lokacionin e varrit masiv në Kalludër të Zubin-Potokut.
Gjatë vizitës, familjarët dhe përfaqësuesit e institucioneve kanë vendosur lule në lokacionin ku po zhvillohen gërmimet.
Vizita është zhvilluar në prag të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, e cila shënohet çdo vit në kujtim të personave të zhdukur.
Gërmimet në veri të Kosovës kanë nisur në fund të korrikut, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar se në tri lokacione në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin-Potokut janë gjetur mbetjet mortore të 23 personave, të cilët dyshohet se janë zhdukur me forcë gjatë luftës.
Institucionet e Kosovës dyshojnë se mbetjet e gjetura mund t’u përkasin grupit të 23 shqiptarëve të zhdukur në këtë pjesë të Kosovës gjatë vitit 1999.



