Komanda e NATO-s në Napoli njofton për vizitat e ushtarakëve të KFOR-it te ura e Ibrit, përmendet ‘përshtatja e pranisë’ atje
Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli ka njoftuar se udhëheqës të lartë të KFOR-it kanë vizituar së fundmi personelin që vepron në Mitrovicë.
Sipas njoftimit, vizita është zhvilluar për të theksuar praninë e vazhdueshme të KFOR-it dhe ndërgjegjësimin për situatën në veriun e Kosovës.
“Gjatë vizitave, Komandanti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe, Gianfranco Di Fiore, vëzhgoi aktivitetet e vazhdueshme të sigurisë mobile, ndërsa Shefi i Shtabit të KFOR-it u angazhua me personelin e MSU-së dhe të Ekipeve për Ndërlidhje dhe Monitorim për të marrë përditësime mbi situatën operacionale”, ka njoftuar Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli
Komanda e NATO-s në Napoli ka bërë me dije se operacionet e sigurisë dhe angazhimi i rregullt me komunitetin i mundësojnë KFOR-it ta “përshtatë qëndrimin e tij”, duke mbetur i informuar, i lidhur dhe i gatshëm për të reaguar sa herë që nevojitet.
“Ndërsa KFOR-i optimizon pozicionimin e tij, përgjegjësia e tij mbetet e pandryshuar”, është thënë në njoftim.
Komandanti i MSU-së është takuar gjithashtu me ushtarët e Ekipit për Ndërlidhje dhe Monitorim (LMT) K2 të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja.
Gjatë këtij takimi është vlerësuar përkushtimi i tyre për ruajtjen e dialogut me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve në terren.



