Grealish siguron transferimin në minutën e fundit në Premier League
Jack Grealish është në prag të një kapitulli të ri në karrierën e tij, pasi ka pranuar transferimin te Evertoni në formë huazimi.
Sipas gazetarit David Ornstein, anësori i Manchester Cityt do t’i nënshtrohet të martën në mëngjes testeve mjekësore si lojtar i ri i Evertonit. Dy klubet kanë arritur marrëveshje të plotë për huazimin e tij për një sezon.
Grealish ka dhënë miratimin përfundimtar për transferimin të hënën në mbrëmje, pas disa ditësh negociatash intensive mes palëve.
Evertoni e ka konsideruar transferimin e anësorit anglez si një përparësi për forcimin e repartit ofensiv, ndërsa vetë Grealish synon të sigurojë më shumë minuta dhe një rol më të rëndësishëm në formacionin e skuadrës nga Goodison Park.
Grealish, 30-vjeçar, iu bashkua Manchester Cityt nga Aston Villa në vitin 2021 për rreth 117 milionë euro, por në sezonet e fundit ka pasur vështirësi për të siguruar një vend të rregullt në formacionin e Pep Guardiolës.
Sipas Transfermarkt, vlera aktuale e tregut e reprezentuesit anglez vlerësohet në rreth 20 milionë euro.



