Hamza për Sejdiun: Nëse zgjidhet, duhet të luajë rolin e presidentit unifikues – fillimet nuk janë të mira

01 shtator 2026 | 13:22

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se nëse Bekim Sejdiu zgjidhet president i Kosovës, ai duhet të luajë rolin e një presidenti unifikues, por ka vlerësuar se fillimet nuk janë të mira.

Në një prononcim për “Kosovapress”, Hamza ka theksuar se PDK-ja nuk e mbështet kandidaturën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Nuk ka ndryshim të qëndrimit. Qëndrimi i PDK-së është i qartë, nuk jemi pjesë e marrëveshjes dhe nuk e votojmë zotërinë Sejdiu për president”, ka deklaruar Hamza.

Sipas tij, Sejdiu deri tani nuk ka zhvilluar asnjë komunikim apo diskutim me PDK-në për të kërkuar mbështetjen e saj për zgjedhjen në postin e presidentit.

“Asnjë komunikim. Asnjë diskutim nuk ka. Ai, nëse zgjidhet, duhet të luajë rolin e presidentit unifikues. Fillimet nuk janë të mira”, ka theksuar Hamza.

I pyetur nëse do të pranonte të takohej me kandidatin e propozuar nga LVV-ja dhe LDK-ja për t’i marrë garanci se do të jetë president unifikues, Hamza ka thënë se tashmë është vonë.

“Vonë është tashmë”, ka përfunduar ai.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar më 31 gusht për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president konsensual.

Ndërkohë, LDK-ja pritet ta diskutojë emrin e tij në strukturat e brendshme partiake. Një ditë më parë, disa figura të kësaj partie, përfshirë Avdullah Hotin, kanë shprehur kundërshtime ndaj kandidaturës së Sejdiut.

Sipas LVV-së, mosmarrëveshjet rreth zgjedhjes së presidentit kanë qenë një nga arsyet që Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jack Grealish është në prag të një kapitulli të ri…