Selmani fiton medaljen e artë, e shtata për Kosovën në Lojërat Mesdhetare
Islam Selmani është shpallur kampion mesdhetar në karate, pasi ka fituar medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Në finale të kategorisë deri në 60 kilogramë, Selmani ka triumfuar ndaj karateistit turk Burak Ozdemir me rezultat 1:0. Lufta ka qenë e fortë, por karateisti kosovar ka realizuar pikën e vetme.
Për Kosovën, kjo është medalja e shtatë në “Taranto 2026” dhe e dyta e artë.
Selmani e ka nisur ditën me fitore 2:0 ndaj francezit Sami Tas. Në çerekfinale, ai e ka mposhtur qipriotin Andreas Gavriel. Qiprioti ishte duke udhëhequr, por më pas është diskualifikuar.
Në gjysmëfinale, 21-vjeçari Selmani ka qenë bindës ndaj grekut të suksesshëm Christos Xenos, të cilin e ka mposhtur me rezultat të thellë 11:5.
Sot garojnë edhe tre karateistë të Kosovës: Elmedina Istogu, Vlerë Qerimi dhe Betim Maliqi.
Albulenë Gërvalla është ndalur në luftën e parë, ndërsa Qëndresa Ibrahimi e ka fituar luftën e parë dhe më pas ka humbur në gjysmëfinale dhe në luftën për medaljen e bronztë. Ajo është renditur e pesta.



