Vetëm 19 vjeç, Yamal lë pas Messin dhe vendos rekord historik te Barcelona

01 shtator 2026 | 12:50

Lamine Yamal vazhdon të thyejë rekorde në moshë të re, duke shkruar një tjetër kapitull në historinë e Barcelonës.

Sulmuesi spanjoll shënoi dy gola në fitoren 5-2 të Barcelonës ndaj Rayo Vallecanos në “Spotify Camp Nou”, duke e çuar në 51 numrin e golave zyrtarë me ekipin e parë të klubit katalanas.

Yamal e nisi këtë sezon me 49 gola të shënuar për Barcelonën, pas shtatë golave në sezonin e tij të parë, 18 në edicionin 2024/25 dhe 24 gjatë sezonit 2025/26.

Golin që e çoi në kuotën e 50 realizimeve e shënoi në minutën e 21-të, me një goditje të saktë në cepin e portës, ndërsa golin e dytë personal e realizoi në minutën e 90-të.

Ky sukses i siguroi Yamalit një rekord të ri në historinë e Barcelonës, pasi u bë futbollisti më i ri që arrin kuotën e 50 golave me ekipin e parë.

Ai e arriti këtë shifër në moshën 19-vjeçare, duke lënë pas legjenda të klubit si Josep Escolà, i cili e kishte arritur këtë shifër në moshën 20-vjeçare, dhe Lionel Messi, që kishte shënuar 50 gola deri në moshën 21-vjeçare.

Që nga debutimi me ekipin e parë në prill të vitit 2023, kur ishte vetëm 15 vjeç, Yamal ka rritur vazhdimisht ndikimin e tij në skuadrën katalanase dhe tashmë konsiderohet një prej lojtarëve kryesorë të repartit ofensiv.

Përveç rekordit të golave, Yamal mban edhe një tjetër arritje të veçantë në historinë e Barcelonës. Ai është futbollisti më i ri që ka regjistruar 50 paraqitje zyrtare me klubin, duke thyer rekordin e mëparshëm të Bojan Krkić.

Në vetëm pak vite, Yamal ka kaluar nga një talent i akademisë “La Masia” në një prej figurave kryesore të Barcelonës, ndërsa statistikat e tij vazhdojnë të rriten me ritme mbresëlënëse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erjon Nimoni shpall te pavlefshme dëftesat e lëshuara nga shkolla…