“Nëse Republika më thërret, jam gati”, Bislimi thyen heshtjen: Nëse elitat politike nuk më konsiderojnë, fjalën do ta ketë populli
Faton Bislimi, kandidat i propozuar për president nga ish-ambasadori William Walker dhe ish-kongresisti Joe DioGuardi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit rreth propozimit që emri i tij të konsiderohet për president të Republikës së Kosovës.
Në një deklaratë publike, Bislimi ka falënderuar të gjithë ata që, sipas tij, e kanë përkrahur kandidaturën e tij, përfshirë figura të njohura amerikane dhe familjet e heronjve të Kosovës.
“Kam marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga njerëz që dashurinë për Kosovën e kanë dëshmuar me jetë e me vepra; nga miq të dëshmuar të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë ambasadorin William Walker dhe ish-kongresmenin Joe DioGuardi; nga familjet e heronjve Sali Çekaj dhe Agim Ramadani; nga shqiptarët e Luginës së Preshevës; nga miq e kolegë të mi nga Harvard Kennedy School; dhe, mbi të gjitha, nga qytetarë e atdhedashës të shumtë të Kosovës, nga çdo kënd i vendit dhe nga diaspora jonë. I jam nga zemra mirënjohës çdo vatre shqiptare, për çdo përkrahje, për çdo fjalë të mirë dhe për çdo shtrëngim dore që kam marrë këto ditë në mbështetje të propozimit që emri im të konsiderohet për President të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Bislimi.
Bislimi ka theksuar se kandidatura e tij është një ofertë për t’i shërbyer Kosovës në një moment kur vendit, sipas tij, i nevojiten unitet, seriozitet institucional dhe besim në të ardhmen.
“Kandidatura ime nuk është kërkesë drejtuar një partie dhe nuk është ndërtuar kundër asnjë partie apo individi. Ajo ka qenë një ofertë për t’i shërbyer Republikës së Kosovës në një moment kur vendit i duhet unitet, seriozitet institucional dhe besim në të ardhmen. Dhe ajo ofertë qëndron! Nuk tërhiqem nga asnjë përgjegjësi që e kam marrë si amanet të brezave e si mision për të ardhmen e shtetit!”, ka thënë ai.
Duke folur për mundësinë që elitat politike të mos e marrin në konsideratë kandidaturën e tij, Bislimi ka lënë të hapur mundësinë që çështja të marrë një rrjedhë tjetër. “Nëse elitat politike nuk e konsiderojnë atë, atëherë fjalën do ta ketë populli”, ka deklaruar ai, duke shtuar se është i gatshëm të vazhdojë angazhimin publik dhe t’i shërbejë Republikës së Kosovës.
“Detyra ime ndaj Kosovës vazhdon. Besimi im në atë që mund të bëhet Kosova vazhdon. Dhe gatishmëria ime për t’i shërbyer Republikës me tërë dijen, përvojën dhe forcën time mbetet e plotë dhe e palëkundur. Sepse në fund të fundit, pyetja nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm se kush e merr një pozitë. Pyetja më e rëndësishme është: Çfarë është më e mira për Kosovën? Përgjigjja ime ka qenë e njëjtë për më shumë se dy dekada: Kosova e Para!”, ka shkruar Bislimi.



