Grabovci kundërshton kthimin e Ligjit për Specialen në Kuvend: Çlirimtarët nuk janë monedhë për pazare politike
Ish-shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka reaguar pas kthimit në Kuvend të Ligjit për Gjykatën Speciale, me kërkesë të PDK-së
Grabovci ka kërkuar nga drejtuesit përgjegjës që të sqarojnë arsyet e këtij vendimi dhe të bëjnë të ditur se kush e ka propozuar kthimin e ligjit dhe kush e mbështet atë.
“Përgjegjësia ka emër. Vendimet kanë autorë. Dhe qytetarët kanë të drejtë t’i dinë të dyja!”, ka shkruar Grabovci në “Facebook”.
Ai ka kritikuar ndryshimin e qëndrimeve politike, duke kërkuar që ata që më parë kanë kërkuar votimin e ligjit, tash të shpjegojnë arsyet për kërkesën që ai të kthehet në Kuvend.
“Kush dje kërkonte votimin e ligjit, sot le të dalë e të shpjegojë pse kërkon kthimin e tij. Qëndrimet politike nuk ndërrohen pa dhënë llogari!”, ka shkruar ai.
Grabovci ka theksuar se çështja e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk duhet të përdoret për interesa politike.
“Çlirimtarët nuk janë monedhë për kusure e pazare politike!”, ka shkruar ai, duke shtuar se askush nuk e ka monopolin e PDK-së.
Ai ka kërkuar publikisht që të bëhen të ditura arsyet juridike për kthimin e ligjit, si dhe emrat e personave që e kanë propozuar dhe mbështetur këtë vendim.
“SHESHI NUK ËSHTË LARG, ndërsa llogaridhënia publike nuk shmanget me manovra politike!”, ka shkruar Grabovci.
Në reagimin e tij, ai ka theksuar se qëllimi i ligjit duhet të jetë kontributi në llogaridhënie dhe hapja e rrugës për drejtësi për çlirimtarët, siç është shprehur ai, për të përmirësuar padrejtësinë historike të 16 shtatorit.
“Mjaftë është mjaftë. Nuk e meritojnë çlirimtarët e as populli ynë këtë lojë”, ka shkruar Grabovci.



