OEK-u dhe WOBA do të bashkëpunojnë për rritjen e përfaqësimit të grave në bordet drejtuese
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Women on Boards Adria (WOBA) do të bashkëpunojnë për rritjen e përfaqësimit të grave në bordet drejtuese dhe avancimin e qeverisjes korporative në Kosovë.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, u takua me ambasadore Rajonale të WOBA-s, Tanja Mihajlovska Dimitrievska, dhe ambasadore të WOBA-s dhe drejtoreshë Menaxhuese të EOS në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, Katerina Boshevska.
Gjatë takimit u diskutua për programet e WOBA-s në Kosovë, përgatitjen e grave për pozita drejtuese, përfshirjen e profesionistëve kosovarë në rrjetin rajonal dhe bashkëpunimin me kompanitë e institucionet. “Kjo nuk është vetëm një fushatë ndërgjegjësimi, por punë konkrete për qeverisjen korporative – përgatitjen e kandidateve, profesionalizimin e përzgjedhjes dhe krijimin e mundësive për gratë e kualifikuara. OEK-u dëshiron që bizneset kosovare të jenë pjesë e këtij procesi dhe të ndihmojnë në formësimin e kësaj reforme”, tha Rafuna.
OEK-u dhe WOBA do të koordinojnë hapat e ardhshëm për të sjellë në Kosovë programe për lidership dhe përgatitje për borde, si dhe për të fuqizuar lidhjen e profesionistëve kosovarë me rrjetin rajonal.



