Schuebel merr detyrën si shef i Zyrës së BE-së në Kosovë: Institucionet të formohen shpejt

02 shtator 2026 | 14:43

Zyra e BE-së në Prishtinë ka njoftuar se Dirk Schuebel ka marrë detyrën si ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shërbyer si shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësues special i BE-së (EUSR).

Schuebel ka bërë thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve, gjë që, sipas tij, do t’i mundësonte Bashkimit Evropian të angazhohej plotësisht me Kosovën dhe të ofronte asistencën që ka në dispozicion për vendin.

“Përpara nesh është një dritare e rëndësishme mundësie. Në të mirë të të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i duhen institucione funksionale, të afta për të zbatuar reformat e nevojshme dhe për të shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes së BE-së dhe fondet e konsiderueshme të IPA-s që priten së shpejti. Shfrytëzimi maksimal i këtyre mundësive kërkon përgjegjësi politike, institucione efektive dhe një fokus të qartë në reformat dhe agjendën e integrimit evropian”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se mezi pret të punojë me institucionet e Kosovës, aktorët politikë, shoqërinë civile, mediet dhe të gjitha komunitetet për ta ndihmuar Kosovën në ecjen drejt integrimit.

“Mezi pres të punoj me institucionet e Kosovës, aktorët politikë, shoqërinë civile, mediat dhe të gjitha komunitetet, për ta ndihmuar një Kosovë multietnike që të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE, në baza të barabarta me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”.

“Do ta mbështes të ardhmen evropiane të Kosovës. Puna drejt këtij qëllimi kërkon përpjekje nga e gjithë shoqëria dhe një përkushtim të përbashkët për ta bërë integrimin në BE prioritet përtej ndarjeve politike. Gjithashtu, do ta mbështes angazhimin konstruktiv të Kosovës në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bashkëpunim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun, Peter Sorensen”, ka thënë Schuebel.

Schuebel ka theksuar se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të qëndrojë krah për krah me Kosovën, duke u mbështetur në më shumë se 25 vjet përkrahjeje që nga viti 1999, si partneri më i fuqishëm dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i asistencës financiare.

“BE-ja i ka ofruar Kosovës më shumë se 3.7 miliardë euro ndihmë, duke filluar nga rindërtimi, ndërtimi i institucioneve dhe sundimi i ligjit, deri te zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë. Së bashku, ne mund t’i shndërrojmë aspiratat evropiane të Kosovës në përparim konkret për të gjithë qytetarët e saj”, ka thënë Schuebel.

Në ushtrimin e detyrave të tij, ambasadori Schuebel do të mbështetet nga zëvendësshefi i sapoemëruar i BE-së në Kosovë, Alexis Hupin, si dhe nga ekipi i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Krimeve të Rënda,…