77 vdekje gjatë këtij viti – Situata me aksidentet e trafikut vlerësohet alarmante
Mbrëmja e së mërkurës, doli të jetë tragjike për Laurent Krasniqin.
Ish-kameramani i Tëvë1, dhe i disa mediave të tjera në vend, ndërroi jetë në një aksident tragjik në fshatin Llukar të Prishtinës.
Deri te aksidenti, erdhi kur Laurenti me motoçikletë u aksidentua me një veturë.
E vdekja tragjike e të riut nga Prishtina, nuk ishte e vetmja në trafik, në 24 orët e fundit.
Në rrugët e Kosovës, humbën jetën edhe dy persona të tjerë.
Në një përgjigje për tëvë1, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga janari deri në fund të gushtit janë 77 viktima në aksidente trafiku.
“Janar – gusht 2025: 68 aksidente fatale, 77 persona të vdekur. Janar – gusht 2026: 72 aksidente fatale, 77 persona të vdekur. Gjatë vitit 2025 në aksidente të trafikut të përfshira kanë qenë edhe mjetet me dy rrota ku janë regjistruar 733 aksidente, 12 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet, ndërsa gjatë periudhës janar – gusht 2026 nga 541 aksidente ku të përfshira kanë qenë mjetet me dy rrota, 14 prej tyre kanë qenë me fatalitet”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Krejt kjo situatë po shihet alarmuese nga njohës të fushës.
Naser Lajqi profesor universitar i komunikacionit, tregon se ndër shkaktarët kryesorë në aksidentet me fatalitet, mbeten faktori njeri dhe infrastruktura rrugore.
“Kemi një mospërshtatje të shpejtësisë, së pari nuk e kuptojnë edhe shenjën e trafikut, secilin po ta pyesësh thotë shpejtësia e kufizuar është 50 km/h po supozoj, ajo shpejtësi nuk është 50 por tregon deri në 50 që duhet me i pasë parasysh edhe faktorin rrugë, klimatik, dendësinë e qarkullimit, etj… Shpejtësia në disa raste gjatë të analizave del që është e dyfishuar madje edhe e trefishuar”,vlerëson Lajqi.
E ekspertët e komunikacionit, zbulojnë arsyet se pse shteti po dështon në parandalimin e aksidenteve me fatalitet.
“Në qoftë se ne e kishim një strategji të mirëfilltë dhjetë-vjeçare atëherë ne në kuadër të asaj strategjie e kishim pa se cilat elemente na duhet me i shqyrtu, pas 6 muajsh bëhet rishqyrtimi i atyre elementeve dhe na kish tregu pastaj se çka na nevojiten. Pra ne përderisa nuk i hulumtojmë rastet ose elementet dhe faktorët të cilët ndikojnë në aksidentet në komunikacionin rrugor, ne kurrë s’kemi me mujtë me marrë edhe masa preventive, pikërisht atëherë është ajo që na ndodhë neve përsëritja e aksidenteve me fatalitet”, thotë Nol Dedaj.
Sipas të dhënave të Policisë, deri më tash janë shqiptuar mbi 54 mijë gjoba trafiku, derisa numri i aksidenteve në përgjithësi ka shënuar rënie.



