Guri shpërthen ndaj Ymerit: Kush ta hapi derën për t’u bërë deputete?
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, i është kundërpërgjigjur ashpër deputetes së kësaj partie, Janina Ymeri, pas kritikave të saj ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ymeri e kishte akuzuar Abdixhikun për “mafi energjetike”, deklaratë kjo që ka nxitur reagimin e Gurit, i cili ka rikthyer në vëmendje mënyrën se si, sipas tij, Ymeri ishte renditur lart në listën zgjedhore të LDK-së.
“Kush ia hapi derën për t’u bërë deputete dhe cila është kauza për të cilën u nominua?”, ka pyetur Guri, duke iu referuar rolit të Abdixhikut në përfshirjen e Ymerit në listën e partisë.
Guri ka treguar se para zgjedhjeve të dhjetorit kishte kërkuar nga Abdixhiku që të renditej në 20-shen e parë të listës së LDK-së. Sipas tij, kryetari i partisë i kishte thënë se nuk mund ta bënte këtë, pasi Ymeri po kërkonte të ishte në mesin e 20 kandidatëve të parë.
“Paris, nuk mundem, sepse Janina po kërkon të jetë në top 20”, ka cituar Guri përgjigjen që, sipas tij, kishte marrë nga Abdixhiku.
Deputeti i LDK-së ka theksuar se në atë kohë ai ishte deputet i zgjedhur dhe një nga deputetët më të sulmuar nga pushteti, ndërsa Ymeri, sipas tij, vinte nga dega e LDK-së në Ferizaj me 123 vota.
Megjithatë, Guri thotë se Abdixhiku vendosi t’i japë asaj hapësirë dhe besim politik, duke e renditur lart në listën zgjedhore.
“Megjithatë, kryetari vendosi t’i jepte asaj hapësirë dhe besim politik. E vendosi në listë, e radhiti lart dhe i dha mundësinë që sot të jetë aty ku është”, ka shkruar ai.
Guri ka ngritur më pas pyetjen se si mund të akuzohet Abdixhiku për “mafi energjetike”, ndërsa, sipas tij, ishte pikërisht ai që i kishte dhënë Ymerit mundësinë për të avancuar politikisht brenda LDK-së.
“Mospajtimi politik është normal. Kritika është e drejtë. Por mirënjohja nuk duhet të zgjasë vetëm deri në momentin kur ambicia personale bëhet më e madhe se kujtesa”, ka deklaruar Guri.
Në fund, ai ka thënë se debatet politike mund të ndryshojnë, por faktet mbeten.
“Sepse njerëzit mund të harrojnë shumëçka. Por faktet kanë një ves të keq: mbesin”, ka përfunduar deputeti i LDK-së.



