Kryeprokurori i Shtetit: Pasuria e përfituar kundërligjshëm t’i kthehet shtetit dhe të dëmtuarve
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka thënë se për të pasur sukses në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të tjera komplekse, nuk është e mjaftueshme vetëm ndjekja penale, por edhe zhvillimi i hetimeve financiare si dhe gjurmimi, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë që buron nga veprimtaria kriminale.
Këto komente, Gashi i ka bërë në takimin për shkëmbimin e përvojave mbi hetimet financiare, konfiskimin në rastet e korrupsionit dhe funksionet e Zyrës për Rikthimin e Asteve të organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, UNDP, UNODC dhe Instituti i Bazelit për Qeverisje.
“Pasuria e përfituar në mënyrë të kundërligjshme duhet të gjurmohet, të sekuestrohet dhe të konfiskohet përfundimisht dhe të ardhurat e fituara në mënyrë të kundërligjshme t’i kthehen shtetit dhe të dëmtuarve që kanë pësuar nga veprimtaritë kriminale”, ka deklaruar Gashi.
Gjatë fjalës së tij, Gashi ka vlerësuar këtë takim si mundësi të mirë për të rritur bashkëpunimin ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, si dhe për të shkëmbyer përvoja, ekspertiza, praktika dhe njohuri sipas standardeve më të larta profesionale lidhur me hetimet financiare, sekuestrimin, konfiskimin e pasurisë, si dhe rikthimin e aseteve.
Ky event ka mbledhur kryeprokurorë dhe prokurorë të prokurorive në nivel vendi, përfaqësues nga institucionet ligjzbatuese të Republikës së Kosovës, përfaqësues nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri (SPAK) dhe prokurorë nga prokuroria kantonale e Sarajevës së Bosnje dhe Hercegovinës si dhe udhëheqës të Zyrave për Rikthimin e Aseteve nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina.



