ATK dhe Dogana forcojnë bashkëpunimin kundër ekonomisë joformale
Administrata Tatimore e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, së shpejti do të nisë zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit për luftimin e ekonomisë joformale.
Plani synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimin e kontrolleve të përbashkëta në terren, me fokus në fushat me risk dhe interes të përbashkët, duke mundësuar ndjekjen e zinxhirit ekonomik nga importi dhe qarkullimi i mallrave deri te shitja dhe konsumi në tregun e brendshëm.
Gjatë vitit 2025, bashkëpunimi ndërmjet ATK-së dhe Doganës së Kosovës ka rezultuar në 19 kontrolle të përbashkëta në terren dhe në evidentimin e shmangieve nga detyrimet tatimore dhe doganore në vlerë prej 1.6 milion euro.
Duke u bazuar në këto rezultate dhe në sfidat e identifikuara, plani i ri synon të rrisë më tej efikasitetin e kontrolleve dhe të forcojë mekanizmat për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale.
Në këtë kuadër, zbatimi i Planit të Përbashkët të Veprimit synon që kontrollet të orientohen më saktë drejt rasteve me risk, të rritet shkëmbimi i informacionit ndërmjet institucioneve dhe të sigurohet një mbikëqyrje më e plotë e aktivitetit ekonomik.
Përmes këtij mekanizmi, ATK dhe Dogana e Kosovës synojnë të ndërhyjnë në mënyrë më të koordinuar aty ku evidentohen parregullsi, duke parandaluar humbjet në të hyra publike dhe duke siguruar zbatimin e njëjtë të rregullave për të gjithë operatorët ekonomikë.



