EPOKA LETRARE E ROMANTIZMIT NË EVROPË
OSMAN GASHI
EPOKA LETRARE E ROMANTIZMIT NË EVROPË[1]
Premisa themelore
Ekziston letërsia romantike, muzika romantike, filozofia, historia, piktura, skulptura, përgjithësisht arti romantik. Mirëpo ekziston edhe romantikja, e ashtuquajtura ndjeshmëri romantike që s’kufizon vetëm me epokën letrare të romantizmit, po lidhet me të gjitha kohët e me gjithë historinë e arteve e të letërsisë. Në qoftë se kufizohemi vetëm në letërsinë, ndjeshmëri romantike, në kuptimin më të gjerë, ka edhe në lirikën antike greke, në poezinë e neoterikëve romakë, në poezinë e stilit të ri të ëmbël italian, në lirikën popullore spanjolle të Renesansës (Romancero), por edhe pas shekullit XVIII e XIX në letërsitë e reja evropiane.
Epoka historike e shfaqjes së romantizmit në Evropë, fundi i shekullit XVIII e fillimi i shekullit XIX, ishte periudhë me plot kundërthënie, konflikte e thyerje në sferën shoqërore, politike, religjioze dhe kulturore. Është koha kur në Evropën Perëndimore fillon dekompozimi i formacionit shoqëror të feudalizmit dhe, në anën tjetër, procesi shumë i ngadalshëm i zhvillimit të kapitalizmit. Është koha e luftërave të Napoleon Bonapartës njëkohësisht periudha e Reaksionit të Shenjtë.
Ngjarja që përgjithësisht ndikoi më shumë në shfaqjen e romantizmit ishte Revolucioni Borgjez Francez i 1789-s. Kjo ishte kohë e zgjimit dhe e dëshpërimit të thellë njëkohësisht, kohë e iluzioneve të mëdha për një ardhmëri krejtësisht të ndryshme dhe e realitetit të zymtë e shpresave të humbura.
Shoqëria evropiane e kohës, siç vërente historiani i letërsisë P. S. Kohan, “kishte humbur besimin në forcën e mendjes së njeriut (në racion), kishte humbur besimin në shkencën, e cila nuk mund ta zëvendësonte religjionin, nuk ishte në gjendje të jepte përgjigje në çështjet fundamentale”[2].
Reagimi, para së gjithash emocional, shpirtëror i intelektualëve të kohës ndaj të gjitha këtyre dukurive, ishte i kushtëzuar varësisht nga pozita e tyre shoqërore, varësisht nga vendi e shkalla e kundërthënieve. Si rezultat i këtij reagimi lindi drejtimi i romantizmit, një fenomen kulturor pa dyshim i veçantë gjithevropian. U shfaq në Evropën Perëndimore dhe në atë Lindore ndonëse nuk pati gjithkund pikënisje, qëllime dhe rezultate të njëjta. As kohësisht romantizmi nuk paraqitet gjithkund identik. Përderisa në perëndim të Evropës veprat më të rëndësishme letrare krijohen në çerekun e parë të shekullit XIX, në Lindje do të shtrihet madje edhe deri në fund të atij shekulli.
Në planin letrar letërsia e romantizmit ishte pa dyshim reaksion vendimtar ndaj letërsisë së klasicizmit dhe të racionalizmit. Romantikët veçanërisht u kundërviheshin rregullave të ngurta e sterile të klasicizmit francez, që kufizonin lirinë e të shprehurit e imagjinatën.
Zonja Dë Stal[3], autore franceze, në veprën e saj të njohur “De L’Alemagne” (Mbi Gjermaninë), të botuar më 1810, kishte bërë një distinksion të qartë në mes të poezisë klasike e asaj romantike. “Në njërën”, thoshte, “sundon Fati, në tjetrën Providenca; Fati nuk interesohet fare për ndjenjat e njeriut. Providenca gjykon për veprimet vetëm në bazë të ndjenjave; si të mos e krijojë atëherë poezia një botë krejtësisht tjetër … një rend racional të udhëhequr nga qenia më e lartë..”.
Romantikët u ngritën që në fillim kundër dogmave e kanoneve klasiciste, veçanërisht kundër tri njësive të dramës, i thyen kufijtë që ndanin gjinitë, llojet e zhanret letrare. Ata pohonin se “rregullat në poezi janë paterica që u duhen të sëmurëve, ndërsa të shëndoshëve, dmth. poetëve të vërtetë, ato vetëm u pengojnë”.
Në Gjermani një grup poetësh e estetësh që përbënin të ashtuquajturin Qark të Jenës krijoi bazën teorike, estetike e filozofike të romantizmit. Vëllezërit Shlegel, Novalis (Fridrih fon Hardenberg), Ludvig Tik e të tjerë, mund të thuhet se formuluan programin e romantizmit, duke dhënë më shumë kontribut në rrafshin teorik sesa në atë letrar. Në qoftë se marrim parasysh se ata krijuan duke u mbështetur në konceptet fundamentale të filozofisë idealiste gjermane, në veprat e Fihtes, të Shelingut dhe të Hegelit, nuk është vështirë të kuptohen konceptet e tyre.
“Përmbajtja e vërtetë e romantikes është brendia absolute, ndërkaq forma përkatëse është subjektiviteti spiritual si kuptimësi e pavarësisë dhe e lirisë së saj. Ajo pafundësi në vetvete dhe e përgjithshmja është negacion absolut i gjithçkaje të veçantë, një unitet i thjeshtë me vetveten, i cili gjithë ndasinë, të gjitha proceset e natyrës dhe qarkun e tyre rrethor të ekzistencës, të vdekjes dhe të ekzistencës së sërishme (ringjalljes), gjithë kufizimin e qenies së caktuar shoqërore e shkapërderdhi, dhe të gjitha perënditë e veçanta i shndërroi në një identitet të pastër pafundësor me veten”.[4]
“Poezia romantike është poezi progresive, universale”, thotë Fridrih Shlegeli. “Qëllimi i saj nuk është vetëm që të njësojë sërish të gjitha gjinitë e ndara të poezisë dhe ta bashkojë atë me filozofinë e retorikën. Ajo duhet dhe dëshiron që herë ta ngatërrojë e herë ta njësojë poezinë me prozën, forcën krijuese me kritikën, poezinë artistike me poezinë e natyrshme; që poezinë ta bëjë të gjallë dhe shoqërore, ndërkaq jetën e shoqërinë më poetike”.[5] Po ashtu edhe August Vilhelm Shlegeli merret me thelbin e poezisë romantike. “Poezia e të vjetërve ishte poezi e pasjes (posedimit), poezia jonë është poezi e mallit. Derisa ajo e të parëve qëndron me ngulm në truallin e së tashmes, e jona luhatet midis kujtimeve e parandjenjave”.[6]
Janë mjaft me interes edhe mendimet e autorëve të tjerë të romantizmit gjerman, të cilat shenjëzojnë tiparet dalluese të tij. Romantiku i hershëm Novalisi në “Fragmentet” e tij pohonte se “të romantizosh do të thotë t’i japish banales karakter sublim; të zakonshmes – pamje misterioze; të njohurës – dinjitetin e të panjohurës; definitives – iluzionin e pafundësisë”.[7] Ose Zhan Pauli: “Romantike është e bukura pa kufizime, e bukura e pafundme”.[8]
Derisa Fridrih Shlegeli në fjalinë e lartshënuar synon të përfshijë në totalitet veçantitë themelore të romantizmit me qëllim që t’i përkufizojë ndryshimet e tij nga formacionet e mëparshme stilistike, Novalisi, Zhan Pauli e A. V. Shlegeli vënë në pah tiparet dalluese të tij si emocionalitetin, vizionaritetin, paskajësinë, të jashtëzakonshmen si dhe raportin e tij specifik me realitetin jetësor. Ata janë jo vetëm për pleksjen dhe unifikimin e gjinive dhe të llojeve letrare, por edhe për bashkimin e poezisë me filozofinë e retorikën (p. sh. A. V. Shlegeli).
Formacioni stilistik i romantizmit nuk mund të përkufizohet si fenomen unik letrar. Ai nuk u zhvillua në bazë të vetëm një programi teoriko-estetik të përcaktuar që më parë siç u zhvilluan më vonë surrealizmi, ekspresionizmi, dadaizmi, futurizmi, me gjithë faktin se në epokën e tij u shkruan shumë vepra që do të mund të merreshin si manifeste të tij (parathënia e “Baladave lirike” e Kollërixhit dhe Uordsuorthit; parathënia e dramës “Kromuell” e Ygoit, shkrimet e romantikëve gjermanë të Qarkut të Jenës etj.), sepse romantizmi shprehte gjithnjë diç më shumë se programet, manifestet dhe definicionet e ndryshme. As të gjithë shkrimtarët që krijuan në frymën e romantizmit nuk e konsideruan veten të tillë e nuk u nisën gjithnjë nga pozita, botëkuptime e qëllime të njëjta klasore, politike, intelektuale e emocionale.
Konceptimi i natyrës
Me natyrën, me filozofinë e konceptimin specifik të saj lidhet tërë letërsia romantike. Ajo është temë e përhershme dhe paraqitja e saj i nënshtrohet sa koncepteve individuale të autorëve aq edhe disponimeve e gjendjeve shpirtërore të subjekteve a heronjve lirikë. Natyra këtu herë del si ambient gjëllimi, optimizmi, si milie i paqes e i përtëritjes shpirtërore, si një Eden e herë si ambient ku zhvillohet luftë e përhershme dhe e pamëshirshme midis demonëve të së keqes dhe forcave të saj të errësirës me njeriun. Pa dyshim kjo gjendje është esencialisht e kushtëzuar nga raporti i individit me shoqërinë e kohës dhe me zhvillimet politike e historike të Evropës së shekullit XVIII e XIX.
“Ngazëllimi i romantikëve me natyrën nuk mund të paramendohet pa ndarjen e fshatit nga qyteti, po ashtu sikur edhe pesimizmi i tyre nuk mund të paramendohet pa zymtësinë e mjerimin e qyteteve industriale. Ata e kuptonin në mënyrë të përsosur se ç’po ndodhte dhe ishin plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e shndërrimit të punës së njeriut në mall të zakonshëm”.[9]
Gati që nuk ka poet romantik i cili nuk ka shkruar për natyrën: Lamartini: Liqeni; Uordsuorthi: Vjeshta, Vetmia, E shkruar në pranverën e hershme; Shelli: Laureshës, Reja, Odë erës perëndimore; Kits: Odë vjeshtës; Leopardi: Paskajësia, E shtuna në fshat; Pushkini: Kujtime nga Carskoje Sello; Bajroni: Llakin i Gar; Ygoi: Natë me hënë, Luna, Stela etj.
Lirika romantike me temën e natyrës në raste tejet të rralla është deskriptive, më shpesh ajo është vetëm prelud për ta vënë atë përballë botës së brendshme të subjektit lirik. Andaj natyra herë paraqitet si pandan i atyre shqetësimeve e herë të dyja shkojnë bashkë, duke krijuar kështu disponimin e ngrysur, madje shpesh me tone pesimiste.
Derisa në poezinë e Bajronit dhe të Pushkinit shpërthejnë tinguj ngazëllimi, vrulli e dëshire për t’u mishëruar me atë ambient, në poezitë e përmendura më lart të Lamartinit e të Leopardit shquhet një atmosferë e zymtë, të cilën nuk e ndryshon as ajo virgjëri e pastër e natyrës.
Larg këndeve të qeta,
Që kotësinë tjerrin,
magjive gaz e zhurmë,
fanitjeve që joshin!
Shkëmbenjtë m’i ka ënda
që borën gjithnjë ndjellin,
që dashurinë bekojnë
edhe lirinë shpalosin.
Bajroni: Llakin i Gar (sipas përkth. të H. Qeskos)
Tis i mesnatës ka mbuluar,
Kupën e qiellit t’errësuar;
Luginë e thellë hesht,
koriet varg e varg.
Dremit ndën mjegull pylli larg;
Pothua s’ndihet krejt rrëkeza tek po rrjedh
Dhe era tek dihat e heshtur gjeth më gjeth;
Dhe hën’ e heshtur si mjelmë madhështore
Lundron mes reve argjendore.
Pushkin: Kujtim nga Carskoje Sello (përktheu J. Bllaci)
O liqen, mezi një vit kaloi,
E në brigjet tua të gurta
Ku ajo sërish duhej të vinte
Pa shih! i vetmuar unë jam.
Lamartin: Liqeni (përkthim imi)
Jungjat’jeta male me kurorë blerimi
gjethe të zverdhura rënë mbi fushë
Jungjatëjeta! ditë të bukura!
syrit tim i duhet vaji i natyrës
po sikur dhembja ime.
Lamartin: Vjeshta (përkthim imi)
Largimi nga realiteti
Me konceptimin romantik të natyrës lidhet edhe një tipar aq i shpeshtë i shkrimtarëve të kësaj periudhe letrare – IKJA. Herë realisht e më shpesh imagjinativisht romantikët ikin në kohë e në hapësirë. Ata ikin në të kaluarën, më shpesh në Mesjetë e shumë më rrallë në Antikitet, ikin edhe në ardhmëri me fantazinë e bujshme, duke projektuar në atë mënyrë botën, gjithnjë sipas bindjeve e koncepteve që përkonin me ëndrrat e vizionet e tyre. Atëherë krijimet e tyre merrnin karakterin e utopisë, të cilat nuk ishin të panjohura për kohën e datojnë madje që nga idetë e socialistit utopist francez Sen Simoni.
Për një pjesë të romantikëve Mesjeta nuk ishte aspak periudhë e errësirës, inkuizicionit. Ajo edhe në ishte errësirë ishte “errësirë që shkëlqen”. Largimi i romantikëve nga realiteti i zymtë, që ngjallte neveri e s’përkonte me shpirtin e tyre të lirë e kërkimtar, krijoi fenomenin e quajtur ekzotizëm, të cilin romantikët më shpesh e kanë quajtur “nostalgji” (ekstaza ekzotiste).
“Çdo krijues”, thotë Mario Praci, “në kuptimin e përgjithshëm e provizor është ekzotist, ngaqë me imagjinatë ikën jashtë së tashmes reale”[10].
Shatobriani, një ndër shkrimtarët mbase të rrallë që përmbledh në personalitetin e vet të gjitha veçoritë tipike të romantizmit, me imagjinatë sa kthehet në të kaluarën e largët, në shekujt e parë të krishterimit, sa ikën në vende të largëta (p.sh. me romanin “Atala” të botuar më 1801).[11]
Viktor Ygoi shkroi “Orientalet”, përmbledhje vjershash me motive nga Orienti si dhe nga thesari popullor i popujve të Lindjes, pa qenë asnjëherë në ato vise. Romantiku tjetër i madh anglez, Bajroni, sot më shumë është i njohur me veprën “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, në të cilën subjekti lirik, i zhgënjyer me jetën në vendlindje, shëtitë gati gjithë Evropën: Portugalinë, Spanjën, Italinë, Belgjikën, Maltën, Shqipërinë, për t’i dhënë fund jetës në Greqi, në vendin që, jo vetëm atij i krijonte iluzionin e Heladës së lashtë. Në këtë grup shkrimtarësh hyjnë edhe Lamartini, Shelli, Hajne etj.
Një formë tjetër specifike e shmangies së poetëve romantikë nga dinamika e jetës reale ishte mbyllja në vetvete, në të ashtuquajturën kullë e fildishtë, duke proklamuar një apolitizëm të plotë e duke u marrë me çështjet fundamentale metafizike mbi jetën, vdekjen, pafundësinë, e cila frymë më vonë do të bëjë të krijohet një doktrinë letrare e quajtur l’art pour l’art (arti për art), doktrinë më vonë e emërtuar edhe si “foshnje e romantizmit”[12].
Megjithatë është e padyshimtë se filozofia e natyrës pa njohjen e së cilës romantizmi nuk mund të kuptohet, njërin prej burimeve kryesore e ka fillimisht në koncepsionet e Zhan Zhak Rusoit. “Do të dëshiroja të humbas në univers, të largohem në pafundësi”, pohonte Rusoi. Në traktatet e tij ai e vë individin në gjendjen e pastër të natyrës. Njeriu i tij “natyror” është individ abstrakt, i izoluar, “natyrë njerëzore në gjendjen e tij të pastër”. Nga shtaza dallohet për nga aftësia e zgjedhjes, për nga aftësia e përsosjes (perfektibilitetit), për nga racioja, të folurit, shoqërizimi dhe, mbi të gjitha, për nga mëshira dhe altruizmi. Rusoi konsiderohet paraardhës i romantikëve jo vetëm me botëkuptimin e tij ndaj natyrës, por edhe me stil in. Ai krijoi me shumë sukses prozën lirike dhe ritmike. Ndikimi i tij i madh është vërejtur edhe më parë në rrymën letrare “Stuhi e vrull”, te Gëtja e Shileri. Megjithëse Rusoi me idetë e konceptet e tij është përgjithësisht i pashmangshëm në romantizëm, s’mund të thuhet se romantikët evropianë ishin rusoistë. Rusoizmi bazohej në racion, ndërsa për romantikët ajo ishte e parëndësishme, vendin ia zë ndjenja. Gjithçka që është e afërt, reale, kufizon imagjinatën, pohonin romantikët. Derisa te natyra Rusoi gjen harmoninë, romantikët gjejnë vetëm vendstrehimin e përkohshëm.
Dalëngadalë prej natyrës kalojmë tek universi, te “Shpirti i gjithësisë” (Shlegeli). Tendenca e shpirtëzimit të trupave qiellorë (yjeve, hënës, diellit) e të fenomeneve kozmike e atmosferike (reve, mbrëmjes, mëngjesit, natës, shiut, shtrëngatës, stinëve të vitit) është tipike romantike. Mund të numërojmë një duzinë krijimesh artistike me këtë temë si: “Unë endem si re e vetmuar”, “Vargje të shkruara në pranverën e hershme” (Uordsuorth), “Errësira” (Bajroni), “Reja”, “Natës” (Shelli), “Odë vjeshtës”, “Ylli ndriçues” (Kitsi), “Ylli” (Eminesku), “Natë me hënë” (Ygoi), “Natë qershori”, “Natë gushti”, “Natë dhjetori” (Myse), “Perëndimi i diellit” (Hëlderlini, “Mbrëmja” (Jozef Ajhendorf), “Paskajësia” (Leopardi) etj. Disa romantikë të këtij sensibiliteti krijuan vepra në frymën e filozofisë panteiste, e cila mbështetet në parimin e njësimit të zotit me natyrën.
Ndjeshmëria romantike
Tipar dallues i letërsisë romantike është subjektiviteti i skajshëm. Poetët romantikë janë, mbase, të parët në historinë e përgjithshme të letërsisë që luftojnë hapur për lirinë e individit, lirinë krijuese, që himnizojnë botën e brendshme të njeriut me të gjitha vetitë duke i ngritur në kult jo vetëm ato, por madje edhe kapricet e tij. Bota e jashtme i nënshtrohet asaj të brendshmes dhe s’mund të qëndrojë e pavarur. Nga ky pozicion vështrohet përgjithësisht edhe vendi që i caktojnë romantikët krijuesit si dhe vetë artit në shoqëri.
Ky raport gjithsesi determinohet si pozicion i ri, para së gjithash antiklasicist e antiracionalist. “Poezia është gjuhë e imagjinatës dhe e pasionit” (Viliem Hazlit); vend i veçantë i jepet frymëzimit, emocioneve, çasteve të vibracioneve intime, produkt i të cilave janë veprat letrare. Për romantikët janë gati të parëndësishme modelet antike të poezisë përkundër klasicistëve, të cilët zhvillohen në gjirin e saj.
Vetëm në periudhën e romantizmit ndryshohet botëkuptimi mbi origjinalitetin në letërsi. Pikërisht origjinaliteti për ta është vlera më e madhe e letërsisë si në formë e në përmbajtje, po ashtu edhe në mjetet stilistike-poetike. Ndoshta në mënyrë më implicite shprehet Ygoi kur flet për rolin mesianik të poetit, kur pohon se “poeti është një flakadan që u ndriçon udhën popujve, far që hedh dritë mbi të ardhmen, udhëheqës i njerëzimit”.
Që në shekullin XVIII socialisti utopist Sen-Simoni shprehej se krijuesit, krahas shkencëtarëve dhe industrialistëve, janë paracaktuar natyrshëm për të qenë pjesë e elitës qeverisëse në shtetin ideal.
“Miti mbi Poetin Profet lindi dhe u zhvillua që në fillim të romantizmit”, thotë M. Kalinesku “… Mjafton të thuhet se gati të gjithë romantikët përparimtarë besonin në rolin avangard të poezisë, madje edhe kur nuk e përdornin termin avangardë e as nuk e pranonin filozofinë didaktike-utilitare mbi artin”.[13]
Gjithsesi ky fenomen lidhet edhe me funksionin shoqëror të artit, që është orientim tjetër në krahasim me doktrinën e artit për art, e cila u përmend më parë. Ideja mbi Poetin Profet dhe funksioni i tij i veçantë u shqua sidomos në njërin krah të romantizmit evropian, në romantizmin e Evropës Lindore e në atë të Ballkanit, te popujt që luftonin për çlirim kombëtar, ku poetët bëheshin pararojë e tyre. Sot janë të njohura poezi të shumta në këtë temë si: “Arti dhe populli” (Ygoi), “Bisedë e librashitësit me poetin” (Pushkini), “Nata e majit” (A. de Myse), “Poetëve të shekullit XIX” (Petëfi), “Vdekja e poetit” (Lermontovi).
Arti, mendja e njerëzimit,
Që këput çdo prangë shqimit!
Arti shpirtin ta pushton.
Tibër, Rin shtron me të mirë:
Popull skllav, të bën të lirë,
Popull zot, të lartëson!
V. Ygo: Arti dhe populli
Përpara, o poet, me popull,
Mes zjarr-tufanit dhe rrufesë,
U shoftë kush le që të përkulet
Të popullit flamurin madhështor…
Sh. Petëfi: Poetëve të shekullit XIX
Vdiq poeti, rob i nderit të tij,
Ra nga hakmarrja e gjuhëve të këqija,
me plumb në zemër,
i etshëm për hakmarrje
Tash i fle zemra në paqe, krenare.
Shpirti i poetit nuk duroi
Fyerje të imëta e poshtërime;
U ngrit përballë gjithë botës
Dhe ra duke luftuar i vetëm …
Lermontovi: Vdekja e poetit (përkthim imi)
Romantikët dhe religjioni
Si krijues që përjashtonin çdo nënshtrim a përulje ndaj dogmave e kanoneve në jetë e në art është e natyrshme që romantikët do ta përjashtonin edhe varësinë e nënshtrimin ndaj religjionit. Një raport i tillë specifik që ndërtuan romantikët karshi fesë dhe vetë perëndisë mbështetet esencialisht në konceptin e individualizmit, që është koncept qenësor për tërë epokën. Mirëpo, duhet përsëritur se romantizmin si drejtim jounik, por shpesh shumë kontradiktor, s’e përcakton në tërësi një qëndrim i këtillë ndaj kësaj problematike. Pikërisht këtu kritika letrare evropiane me prirje pozitiviste, varësisht ku shkruhej, shpesh romantizmin e ndan (lidhur me raportin e letërsisë me religjionin) në dy taborë: romantizmi përparimtar a progresiv e romantizmi reaksionar a regresiv.
Në studimet e vonshme analitike mbi romantizmin e Evropës Perëndimore kësaj problematike i jepen dimensione edhe më të gjera. Eksplorohen tema e ide specifike si “miti romantik mbi vdekjen e Zotit”, që shpjegohet si përfundim i ciklit kristianik, si vdekje e krishterimit. “Vdekja e Perëndisë”, thotë poeti bashkëkohor meksikan Oktavio Paz, “është temë romantike”; apo “religjioziteti romantik është areligjioz, ironik, Religjioni romantik është religjioz, i ankthshëm”.[14]
Dhembja e shekullit (Mal du siécle, Weltschmertz)
Romantikët e shekullit XIX ishin individë të tjetërsuar e të zhgënjyer. Të zhgënjyer nga e kaluara, të zhgënjyer nga koha kur jetonin. Veprat e tyre në pjesën më të madhe janë pasqyrë e një lektisjeje të tillë, një nostalgjie e melankolie të skajshme. Poetët si Shatobriani, Leopardi, Hajne e gjithsesi më i veçanti ndër ta Bajroni, sollën me veprat e tyre një ndjeshmëri specifike që më vonë u quajt pikëllimi botëror. Një frymë e këtillë bëri që të krijohet një letërsi mohuese me tone proteste e rebelimi ndaj realitetit të kohës, ndërkaq në raport me ardhmërinë ajo do të ishte idealizuese e me plot vizione utopike. Çajld Haroldi, Reneu, Prometheu, Satanai e të tjerë heronj romantikë janë nusprodukte të pikëpamjeve të atilla të autorëve të tyre. Do përmendur se ndër paraardhësit e tillë letrarë, para së gjithash, është Verteri i Gëtes, personazh shumë i popullarizuar në letërsinë evropiane të shekullit XIX.
Karakteri boemik, rebelues edhe i poetëve të romantizmit, krijoi krahun edhe më ekstrem – pesimizmin, me përfaqësuesin më të shquar, poetin italian Xhakomo Leopardi.
Malli për “të pambërrijtshmen”, pakënaqësia me çdo gjë reale, tokësore dhe shoqërore e shtyu romantikun e hershëm gjerman Novalisin në misticizëm e në observacione metafizike. Poezitë e tij “Malli për vdekjen” dhe “Kënga e vdektarëve” janë ndër shembujt më të shquar në këtë kontekst.
Ejani tash ku sundon terri,
në të tokës thellësi,
shenjë e nisjes së gëzuar
është kjo dhembje përplot egërsi.
…………………………………….
…………………………………….
Le të festohet natë e amshueshme
Ëndërr e përjetshme le të festohet
Na ka ngrohur fuqi e ditës,
vuajtja na dogji e na kërrusi.
Të ngopur me të huajën,
në vatrën tonë
duam t’ i kthehemi Atit tonë.
Novalis: Malli për vdekjen (përkthimi im)
… S’do të vajtojë kurrë më,
s’ do të kërkojë të ngrihet
kush rreth sofrës tonë të mbushur
qëndron edhe vetëm një orë.
Nuk ka lotët kush t’ i fshijë,
nuk shihen askund plagët,
është e amshueshme ora jonë e rërës…
Novalis: Kënga e vdektarëve (përkthim imi)
Mirëpo rebelimi, ikja, pikëllimi botëror, dhembja e shekullit, bajronizmi, “filozofia e sëmundjes”, si të tilla dëshmojnë, përveçse një gjendje shpirtërore që mbizotëron, gjithsesi edhe një modë që u përhap kryesisht ndër epigonët letrarë e skribomanët në të gjitha letërsitë evropiane të shekullit XIX. Këtë poezi kohë më herët J. W. Gëte e quante “poezi spitalesh”.
Sociologu i letërsisë Arnold Hauzeri thotë: “për romantikët sëmundja është sërish vetëm IKJE nga realizimi racional i detyrave jetësore e të sëmurit është vetëm shkas për shmangie nga obligimet e përditshme. ‘Filozofia e sëmundjes’ përbën një element qenësor të botëkuptimit të tyre. Për ta sëmundja paraqet negacionin e të zakonshmes, normales dhe përmban dualizmin e jetës e të vdekjes, të natyrës e të jonatyrës, të vazhdimësisë e të dekompozimit që përfshinte gjithë koncepcionin e jetës”.[15]
Në kuadër të observimeve të tij mbi temën e sëmundjes te romantikët Hauzeri madje pohon se romantizmi i ka rrënjët në vuajtjet tokësore, prandaj një popull është më romantik dhe më elegjiak sa më e pafat të jetë pozita e tij. Në këtë kontekst ai merr shembull gjermanët.
Edhe satanizmi, si fenomen që lidhet kryekëput me romantizmin përmes poetëve si Bajroni, Shelli, De Myse, Leopardi, Hajne, të cilët pakënaqësinë e tyre herë-herë e shndërrojnë në urrejtje të pafund ndaj gjithë rendit të përcaktuar jetësor e në veçanti ndaj gjithçkaje të shenjtë, zhvilloi forma të panumërta të poetizimit të fenomeneve të shëmtuara të jetës. Të tillë i gjejmë personazhet si: Satanai, Gjauri, Korsari, Kaini, Prometeu etj.
“Për romantikët”, thotë Mario Prac, “e bukura fiton rëndësi pikërisht përmes atyre sendeve që janë në kundërthënie me të: përmes sendeve tmerruese; kjo është bukuria me të cilën kënaqemi sa më shumë që të na pikëllojë e të na shkaktojë dhembje”[16].
Gjithnjë sipas Pracit, zbulimi i tmerrit si burim i kënaqjes e i të bukurës vepron në vetë konceptin e të bukurës. Andaj nga bukuria e tmerrit erdhi tmerrësisht e bukura. Kjo antinomi a ndjenjë bipolare paradoksale u bë temë shumë e pranishme më vonë në poezinë simboliste (Bodleri: “Lulet e ligësisë” etj.) me ndikim të madh në poezinë moderne evropiane. Vargjet e poetit tonë Lasgush Poradeci: “Bukuri tmerrisht e dashur – llaftari tmerrisht e bukur”! apo konceptimi që i bën ai vetë poezisë si “gas – helmprurës a helm – gasprurës”[17] nuk mund të vështrohet jashtë këtij konteksti.
Në qoftë se e analizojmë poezinë romantike nga këndvështrimi i Pracit do të gjejmë një mori temash e motivesh karakteristike si: motivi i prostitutës së rilindur me dashuri (Manon Lesko); motivi i incestit (Reneu në “Atala” të Shatobrianit); motivi i gruas fatale (Kleopatra, Mona Liza, Saloma) si dhe sintagmat shpesh të përsëritura, “ëmbëlsia e krimit”, “kënaqësitë e korrupsionit”, “madhështia e mbarimit, “tmerri mahnitës”, “bukuria e Meduzës”, “mbretëresha e dhembjes” etj.
Në kritikën letrare evropiane në mënyrë të veçantë është analizuar dhe interpretuar, pikërisht në sferën e këtyre ideve, poezia e romantikut anglez Xhon Kits “La belle damé sans mërçi” (Zonjë e bukur e pa mëshirë).
Pa dyshim shkrimtari më kompleks, pa njohjen e të cilit nuk mund të kuptohen plotësisht kurrë këto fenomene, Bajroni, vepra e të cilit u bë gjatë shekullit të kaluar objekt studimesh e madje edhe spekulimesh të shumta, burimi i të cilave është jo vetëm në veprën e tij, por edhe në jetën e tij të bujshme, bashkë me shkrimtarin francez të shekullit tetëmbëdhjetë Dë Sadin[18], janë konsideruar si “dy inspiruesit më të mëdhenj të poetëve modernë”. Ky pohim ka shumë të vërteta, mirëpo përmban edhe shumë pasaktësi dhe ekzagjerime ndonëse ishte i madh ndikimi i Sadit ndër romantikët saqë ai është quajtur edhe “surromantique” apo “eminencë e hirtë e romantizmit” (M. Prac).
Por bezdia apo ENNUI (term po ashtu i Pracit) që për Dë Sadin e për romantikët e pikëllimit botëror janë shpesh ndjenja të përbashkëta, s’e kanë gjithherë edhe burimin e përbashkët e për një pjesë të madhe të romantikëve nuk u bë asnjëherë ndjenjë dominuese.
Romantizmi kombëtar
Tërë ajo që u tha deri më tash për letërsinë e romantizmit evropian nuk e rrumbullakon në masë të plotë idenë mbi këtë epokë, andaj vlen t’u kthehemi sërish konstatimeve fillimtare mbi gjenezën, kufijtë kohorë e hapësinorë të tij, për arsye se “romantizmi nuk lindi njëkohësisht në të gjitha vendet e as nga motive të njëjta”. Përveç në Gjermani, Angli, Francë e Itali, një letërsi romantike u krijua gjatë shek. XIX edhe në Evropën Lindore e Juglindore, e cila, përveç tipareve të përbashkëta, pati edhe veçori dhe primesa specifike që e dalluan, në radhë të parë për shkak të rrethanave të tjera politike, shoqërore, kulturore në ato vende. Shekulli XIX është shekull i zgjimit të vetëdijes nacionale dhe i formimit të kombeve ndër popujt e robëruar të Evropës. Këto procese historike nuk ishin të largëta madje as për Italinë ku shkrimtarët romantikë përgjithësisht u inkuadruan në luftën për bashkimin e atdheut të tyre të copëtuar. Si rezultat i një vetëdijeje të tillë politike në këto vende, romantikët më të mëdhenj u bënë prijës, bardë, bartës të idealeve popullore për çlirim nacional dhe social. Prandaj nga studiuesit e letërsisë romantizmi i këtyre vendeve u quajt herë romantizëm patriotik, herë romantizëm nacional, letërsi iluministe – romantike etj. Do të ishte e pakuptimtë të mendohet se idetë patriotike, liridashëse, vizionare, revolucionare, iluministe, munguan te romantikët e perëndimit të Evropës, por ato tema, ide e vizione e në radhë të parë idealizimi i historisë e i personaliteteve historike e legjendare si dhe fryma luftarake në Lindje ishin gati gjithherë mbizotëruese. Për poetët e mëdhenj romantikë si Pushkini, Mickijeviqi, Petëfi, Eminesku, Botevi, Shevçenko etj. nuk ishin kurrsesi të panjohur paraardhësit e tyre Bajroni, Shelli, Ygoi, nga të cilët madje edhe u inspiruan drejtpërsëdrejti.
Romantizmi në Evropën lindore dhe në Ballkan do të jetë më i vonshëm dhe mbaron kryesisht nga fundi i shekullit XIX e diku-diku kalon edhe në shekullin XX.
Qëndrimi ndaj folklorit
Epoka e romantizmit është, mbase, e para në historinë e kulturës evropiane që thesarin kulturor të popujve e mori si njërin ndër nxitësit kryesorë të zhvillimit të letërsisë e të artit përgjithësisht. Kritika letrare akademike kohën e fundit lidhur me këtë filloi ta përdorë edhe një nocion, të ashtuquajturin “fenomen të regjionalizmit” në letërsi, si produkt pikërisht të kësaj epoke. Ndryshe i emërtuar si “kolorit lokal”, kjo dukuri karakteristike për preokupimet e shumë shkrimtarëve romantikë lidhet edhe me sforcimin e ndjenjave të dashurisë së atyre autorëve për pasurinë e kulturës popullore e etnopsikologjinë e popujve të tyre dhe të të tjerëve. Pikërisht romantikët janë nismëtarët e parë të zbulimit, të mbledhjes e të interpretimit shkencor të letërsisë popullore. Në qoftë se kjo ka të bëjë më pak me shkrimtarët romantikë anglezë e francezë, për ata gjermanë (në radhë të parë për ata të Qarkut të Hajdelbergut), për ata sllavë e për gjithë romantikët e Ballkanit është dukuri esenciale e pashmangshme.
Shumë tema e motive romantike si dhe veçoritë që kanë të bëjnë me stilin, metrin, rimën, nuk mund të shpjegohen pa u njohur folklori i popujve evropianë.
Ndër autorët e parë që u mor me këtë problematikë qe Johan Gotfrid Herderi në veprën “Zërat e popujve në këngë”, e cila është, mbase, shembulli më i mirë i universalizmit kulturor (aty kishte krijime popullore të popujve “të mëdhenj” e “të popujve të vegjël”).
Një ndër format poetike romantike më të eksploruara, BALADA, me prejardhje nga poezia popullore, u krijua në mbarë poezinë evropiane të romantizmit. Një zhvillim të veçantë pati në Skoci Pseudo Osiani i Xhejms Makfersonit (dukuria e mistifikimit letrar).[19] U krijua nga Robert Bërnsi, Uolltër Skoti, Xhon Kitsi, në Gjermani filloi me Byrgerin e “Lenorën” e tij të famshme, me Gëten e Shilerin, Hajnen, në Rusi me Pushkinin, Lermontovin etj. Mbështetja në letërsinë popullore ishte edhe një shenjë e kundërvënies së romantikëve ndaj letërsisë paraprijëse të klasicizmit, si një letërsi përgjithësisht oborrtare e aristokrate.
Çështje të klasifikimit
Nocioni romantizëm gati që nuk ishte përdorur fare ose shumë rrallë në kohën kur aktualisht jetonin e krijonin shkrimtarët e këtij formacioni stilistik. Madje një pjesë e madhe e tyre nuk e konsideronin veten si të tillë e disa të tjerë edhe e mohonin përkatësinë e tyre romantike.
Poetët e parë të romantizmit anglez Uordsuorthi, autor i “Baladave lirike”, e cila është konsideruar edhe si një ndër manifestet e romantizmit (sidomos atij anglez) si dhe Semjuel Tejlor Kollërixhi, janë quajtur “lejkistë” (Lake – liqen) ngaqë krijuan në “Lake Country”, në veriperëndim të Anglisë dhe në lirikën e tyre shquhet fryma deskriptive e peizazhiste; poeti më i rëndësishëm i romantizmit anglez e ndër më të popullarizuarit në Evropën e shekullit XIX, Bajroni, nuk e konsideronte veten romantik, por pasardhës të klasicistit Aleksander Poup.
Në Gjermani romantizmi lindi në gjirin e lëvizjes “Shturm und Drang” dhe u ushqye nga filozofia idealiste gjermane por, me gjithë tiparet e shumta të përbashkëta, pati edhe dallime esenciale nga ajo lëvizje. Gëte, p.sh., “ndiente neveri të thellë ndaj romantizmit, ndaj çdo kufizimi të vrazhdët të arsyes, mirëpo shprehte shumë simpati për realizmin serioz, disiplinën, kënaqësinë morale në punë dhe tolerancën ndaj klasës së mesme”. Gëte madje pohonte se “romantizmi personifikon parimin e sëmundjes”.[20]
Probleme ekzistojnë edhe rreth përcaktimit të karakterit të krijimeve të Hajnrih Hajnes për shkak të afrisë me realizmin si dhe për poetin nacional rus A. S. Pushkinin, i cili konsiderohet edhe shkrimtar i parë realist rus, para së gjithash me romanin në vargje “Eugjen Oniegin”. Se sa është e vështirë, në anën tjetër, të vihet ndonjë kufi i prerë në mes të romantizmit e klasicizmit, vlen të kujtohet vetëm vepra e Ugo Foskolos.
Në Francë, në vendin ku proceset historiko-politike i dhanë nxitjen më të madhe romantizmit, kanë ekzistuar te studiuesit dilema të konsiderueshme rreth kufijve kohorë si dhe rreth përcaktimit të romantikëve “të vërtetë”. Studimet historiko-letrare kryesisht e vendosin veprën “Meditime poetike” të Alfons dë Lamartinit, të botuar së pari më 1820, si vepër të parë të romantizmit francez.
Ç’të thuhet për Stendalin, i cili “është, me gjasë, shkrimtari i parë i madh evropian, i cili veten e mban për romantik ndërsa me romantizmin nuk nënkupton një epokë të caktuar letrare (më të gjatë apo më të shkurtër) as stil specifik, por vetëdijen mbi jetën bashkëkohore, mbi modernitetin në kuptim të drejtpërdrejtë”.[21] Stendali bashkë me Floberin u paraqit në skenën letrare evropiane pas rënies së Napoleonit, në epokën e restaurimit burbon, kur në Evropën letrare ngadalë po depërtonte edhe drejtimi i ri i realizmit.
Romantizmi dhe letërsia e sotme
Letërsia e romantizmit me sistemin e saj të vlerave letrare e kulturore, me idetë letrare, me tiparet si: individualizmi, transponimi i botës së brendshme të njeriut si dhe me disa nga dukuritë specifike që e përcjellin sot letërsinë moderne (tjetërsimi, karakteri boemik), është aq e afërt me letërsinë bashkëkohore sa asnjë formacion tjetër i mëhershëm letrar. Degëzimi i tij në “izma” të shumtë si “realizëm”, “verizëm”, “simbolizëm”, “artizëm”, “impresionizëm”, “senzualizëm”, “imazhizëm”, “dekadentizëm” si dhe me format më specifike, në “dadaizëm”, “ekspresionizëm” e “futurizëm” e shpjegon më së miri shkallën e rëndësisë së saj. Termi “neoromantizëm”, i cili buron drejtpërsëdrejti nga romantizmi, përveçse rrymë letrare që u paraqit rreth vitit 1890 si negacion i drejtpërdrejtë i natyralizmit dhe i pozitivizmit, në vitet ‘60 të shekullit XX përdoret edhe për emërtimin e lëvizjes së përhapur në radhët e rinisë së rebeluar në Evropën perëndimore e në ShBA.
Një raport specifik ekziston ndërmjet romantizmit (veçanërisht atij gjerman) me surrealizmin. Për këtë Marija Janjion me të drejtë pohon se: “romantikët porsi surrealistët e pranojnë si fakt të pamohueshëm ekzistencën e mbireales, të realitetit të fshehur – vetëm se ai për romantikët është realitet transcendental, ndërkaq për Bretonin realitet imanent”.[22]
Më në fund romantizmi si formacion stilistik, por edhe si sensibilitet, është edhe paraardhës i kiçit në letërsinë bashkëkohore. Letrari dhe studiuesi gjerman i letërsisë Herman Broh lulëzimin e kiçit në letërsi dhe përgjithësisht në artin modern e lidh me ndryshimin e botëkuptimeve mbi idealin estetik, që prej kohës së romantizmit. Në një ese të tij të vitit 1933, me titull “Disa vërejtje rreth problemeve të kiçit”[23], Broh pohonte se kiçi dhe romantizmi kanë bazë të përbashkët nostalgjinë, duke e plotësuar këtë më vonë me konstatimin se romantizmi megjithëse nuk është vetë kiç, është e ëma e kiçit, ndërsa fëmija nganjëherë aq shumë i ngjet së ëmës saqë është vështirë t’i dallosh.
Sistemi i gjinive e i llojeve letrare
Romantizmi ka meritën e jashtëzakonshme për shkak të ndryshimit thelbësor, të krijimit, të përtëritjes e të përsosjes së zhanreve, të llojeve dhe të formave letrare. Si shkrimtarë që udhëhiqeshin gati plotësisht nga parimi lirik në krijimtarinë letrare, romantikët kundërshtuan që në nismë sistemin e konsoliduar të gjinive dhe të llojeve letrare të periudhës së klasicizmit. Në radhë të parë kjo vlente për dramën, e cila pas luftës që iu shpall rregullave të klasicizmit nga Viktor Ygoi në parathënien e dramës “Kromuell”, u çlirua nga tri njësitë e saj dhe jo vetëm kaq, ajo filloi edhe të shkrihet në strukturën lirike që kishte zënë fill që me tragjedinë “Fausti” të Gëtes dhe vazhdoi me ato të Bajronit, të Pushkinit, dramat e tjera të Ygoit etj.[24]
Përveç kësaj u krijuan me të madhe format e shkurtra lirike si balada, romanca, kënga, odja, përmes të cilave transponohej bota e brendshme e subjektit lirik, plot patos e emocione. Në vend të formave të gjata epike sipas modeleve letrare greke e romake, siç ishin himnet religjioze, mitologjike, me narracion të theksuar e racionaliste, tash shkruhen gjithnjë e më shumë epet e vogla a poemat epiko-lirike me përmbajtje ekzotike, aventurire (“Korsari”, “Gjauri”, “Lara” të Bajronit); me përmbajtje erotike (“Eugjen Oniegini” i Pushkinit); epe me përmbajtje alegorike e filozofike (“Varrezat” e Foskolos, “Gjermania, një përrallë dimri”, “Atta Troll” të Hajnes, “Legjenda e shekujve” e Ygoit, i cili do të mund të quhej edhe ep vizionar, “Luçeafarol” i Emineskut, “Himnet e vdekjes” të Novalisit etj.).
Edhe romani, si ai në vargje po ashtu edhe ai në prozë, pati një zhvillim të ndjeshëm. Edhe ky lloj letrar ishte krijuar para romantizmit, por romani romantik kishte një prosede të veçantë, ku bota emocionale e psikologjike e personazheve ishte strumbullar i strukturës së tij). Studiuesi kroat i letërsisë, Viktor Zhmegaç, në librin “Poetika historike e romanit” (Povijesna poetika romana, Zagreb, 1987) një vëmendje të veçantë ia kushton edhe romanit të romantizmit dhe tipareve të tij. Është sinjifikativ pohimi i tij se karakteri sinkretik dhe muzeal i romanit është një prej shprehjeve të botëkuptimit romantik të totalitetit. Novalisi që në shekullin XIX kishte shprehur mendimin se romani duhet të bëhet “mitologji e historisë”, domethënë një interpretim i lirë poetik i ngjarjeve historike. Pa dyshim, kur përmenden romanet e periudhës së romantizmit është i pashmangshëm romani i J. W. Gëtes “Vuajtjet e djaloshit Verter”, me strukturën emotive, raportin ndaj natyrës e me mospajtimin me rendin ekzistues shoqëror, por edhe një roman tjetër, ai i romantikut gjerman Novalis (Fridrih fon Hardenberg), “Hajnrih fon Ofterdingen”.
Romani social si dhe romani me syzhe historik, që u krijuan edhe gjatë romantizmit, përsosurinë e arritën në të vërtetë në periudhën e realizmit. I pari me shembullin më tipik “Të mjerët” e Viktor Ygosë, i cilësuar si “apologji e zjarrtë e fatkëqijve”, ndërsa i dyti me romanet e anglezit Uolltër Skot “Ajvenhoi”, “Roberti i kuq” dhe një varg romanesh të tjera të këtij tipi (me syzhe historik) në letërsitë evropiane nga të cilët veçohet sidomos romani “Të fejuarit” i Aleksandër Manxonit.
Romantizmi përfundimisht ishte një epokë e madhe historiko-letrare e përgjithësisht artistike, që dominoi në Evropë e më gjerë rreth një shekull. Por a mund të flitet si për një sistem të përgjithshëm e unik strukturor, estetik, filozofik?
Në romantizëm u krijuan shkolla nacionale letrare si ajo angleze, gjermane, franceze, italiane, ruse, por në anën tjetër romantikët gati gjithnjë qëndruan përmbi definicionet, klasifikimet, kategorizimet.
Romantizmin përgjithësisht e karakterizonte universalizmi, pasioni për lirinë, për komunikimin e papenguar midis popujve e kulturave të tyre, gjë që në kontekstin më të gjerë shoqëror e historik, atij i jep edhe karakter të thellë demokratik.
[1] Ky libër që po i ofrohet lexuesit është deri sot antologjia më e gjerë e më gjithëpërfshirëse e poezisë së romantizmit evropian në gjuhën shqipe. Përfshinë 200 poezi dhe variante përkthimesh të poezive të njëjta, të 49 autorëve, të cilët vijnë nga 17 vende të Evropës, madje edhe më tej, nga Amerika (E. Allan Poe dhe Henry W. Longfelow). Janë përkthime të 35 përkthyesve shqiptarë, veprimtaria e të cilëve shtrihet në një hark kohor rreth njëqindvjeçar. Shkëputur nga parathënia e librit “Kisha dikur një të bukur atdhe”.
[2] P. S. Kohan: Istorija zapadnoevropske književnosti, Sarajevo, 1972, f. 7.
[3] Zhermen Dë Stal në kohën e saj arriti popullaritet me shkrimin e romaneve, të cilat sot konsiderohen stereotipa e gati të palexueshëm. (“Delfina”, 1802, “Korina”, 1807). Për historinë e letërsisë janë më të rëndësishme veprat e saj diskursive: “Ese mbi fiksionet”, 1796, “Mbi Gjermaninë”, 1813, “Shqyrtime”, 1818 etj.
[4][4] Hegel: Estetika II, Beograd 1975, f. 223. Cituar nga Zoran Gluševi: Romantizam, Cetinë, 1967, f. 9.
[5] Zoran Gluščević: Romantizam, Cetinë, 1967, f. 9.
[6] Po aty f. 9.
[7] Po aty f. 9
[8] Po aty f. 8.
[9] Arnold Hauzer: Socijalna istorija umetnosti i književnosti II, Beograd, 1966, f. 193.
[10] Mario Prac: Agonija romantizma, Beograd, 1974, f. 170.
[11] Temë e romanit është shkatërrimi i një fisi indian të Amerikës.
[12] Ky koncepcion teorik u formulua nga filozofi francez Victor Cousin (1836) dhe përmbante disa parime si: arti duhet të lirohet nga çdo qëllim; në të nuk duhet të ndikojë as morali, as politika, as religjioni si dhe arti mund dhe duhet të kuptohet vetëm përmes idesë së të bukurës. Këtë tezë do ta përpunojnë simbolistët, parnasistët, impresionistët: Gotje, Nervali, Lotreamoni, Bodleri, Floberi, Vëllezërit Gonkur, Oskar Uajld etj.
[13] Matei Calinescu: Lica moderniteta, Zagreb, (pa vit botimi), f. 103.
[14] Matei Calinescu: Vepër e cituar, f. 66.
[15] Arnold Hauzer: Socijalna istorija umetnosti i knjizevnosti II, Beograd, 1966, f. 168.
[16] Mario Prac: Agonija romantizma, Beograd, 1974, f. 42.
[17] Shih Lasgush Poradeci: Poezi, et coetera…, Tiranë, 1942.
[18] Markezi dë Sad (Donatien – Alphonse – de Sade, 1740-1814). Është ndër shkrimtarët më kontroversë në letërsinë franceze e përgjithësisht në atë botërore, dukuri veçanërisht ekstreme, veprat e të cilit janë kontestuar deri në ditët e sotme. Një pjesë të madhe të jetës (rreth 25 vjet) e kaloi në burgje, ku edhe krijoi shumicën e veprave të tij si: “120 ditë të Sodomës”, “Zhystina ose virtytet fatkëqija”, “Zhylieta” etj. Parimi në bazë të të cilit veprojnë heronjtë e romaneve të tij u kundërvihet sjelljeve normale të njeriut si qenie shoqërore (parimi i të shëmtuarës). Ai parim u ofron heronjve të Sadit jo vetëm kënaqësi e elan, por u ofron edhe mbrojtje të përhershme. E keqja mbetet e pandëshkuar, virtyti është gjithherë i ndjekur dhe pëson (shih më gjerësisht veprën Francuska knjizevnost, grup autorësh, Sarajevë, 1978, f. 176).
[19] Për mistifikimin letrar dhe interesimin e shkrimtarëve të pararomantizmit për letërsinë popullore, shih punimin e Latif Berishës “Mistifikimi letrar dhe letërsia shqiptare e Rilindjes”, në revistën “Gjurmime albanologjike, seria filologjike, nr. 5-1975”.
[20] Arnold Hauzer: Socijalna istorija umetnosti i književnosti II, Beograd, 1966, f. 117.
[21] Matei Calinescu: Lica moderniteta, Zagreb, (pa vit botimi), f. 45.
[22] Marija Janjion: Romantizam, revolucija, marksizam, Beograd, 1976, f. 284.
[23] Herman Broh: Pesništvo i saznanje, Niš, 1979.
[24] Përveç Kromuellit, Ygoi shkroi edhe Marion Delorme (1829), Hernani (1830), Ruy Blas (1838), Grofët gjermanë (1848).
Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”



