HERBARIUMI I INKUIZICIONIT
ADEM GASHI
E hodha fare pa takt librin Shtrigat të Zhyl Mishlesë dhe ky veprim u bë shkak që sytë e gruas, të vajzave dhe të djalit të drejtohen nga unë. Në të vërtetë ky qe vetëm një shpërthim imi i beftë, sepse tundimi kishte zënë fill këtu e një muaj më parë. Pikërisht atë pasditeje të së shtunës së parë të janarit, kur e takova Selman Sojevën dhe u futëm në restorantin Dubrovniku të Kurrizit të Prishtinës, që të pinim nga një gotë. Ç’gotë ore?! Kur u futëm brenda dhe pashë gjithë atë galeri tipash e personazhesh, m’u bë se u hodha në Ferrin e Dantes dhe qeshë gati t’i pija me okë, sado që s’ia them edhe aq rakisë. Esesit nuk i bëri përshtypje refleksi i ngazëllimit tim. Ne njiheshim prej kohësh, që në bangot e Normales së Prishtinës dhe, gjithandej i patëm vënë nofkën LESES, sipas siglave të emrit dhe të mbiemrit. Për çudi, ishte njëri nga ata që më së paku mund t’ia përcaktoje prirjen politike, madje më parë mund të pohoje se ishte njeri apolitik. Vullneti i tij për sportin ishte edhe një favor më shumë për këtë pohim. Po rrugët tona të jetës morën tutje-tehu. Në ndeshje të përvdekshme pësonim gëzime e zhgënjime. Ëndrrat tona të rinisë, sakaq bëheshin copë e thërrime, para realitetit të ashpër. Varrosnim e zhvarrosin kulte e mite nëpër provincat e Kosovës, derisa Esesi, fare esëll, provonte lirinë e dashurisë rrugëve të Beogradit. Këtë pjesë atraktive të biografisë së tij ne e mësuam shumë kohë më vonë, kur ai qe kthyer dhe zuri punë në Sekretariat. (Ju e dini se fjala është për Sigurimin Sekret Shtetëror). Madje, disa nga shokët, ia kthyen shpinën përgjithmonë meqë nuk dinin se si shpjegonin kthesat aspak kauzale të biografisë së tij. Ndërkaq, raportet e mia me të mbështeteshin në një respekt të ndërsjellë të rinisë, po tashti ndërhynte këtu edhe droja ime: mbaje mos e këput me mik-armikun tënd! – më pëshpëriste zëri i ndërgjegjes.
– E sheh atë me kravatë të kuqe? – i thashë, është ish-shefi im. Shikoje!
– Lëre, ç’e do? – ma priti ai.
Atë çast isha unë hetuesi që në sytë e mjegulluar të Esesit dhe në dy vijat, fare të lehta, që ia formonte në ballë mbledhja e tkurrur e vetullave, vura re një lodhje. Jo. Një mërzi. Jo. Një diçka si bezdi.
– Selman! – e thirra me emër duke e harruar nofkën që na bënte më intimë. – Më dukesh i lodhur. Përse më ftove këtu? Sa thashë përse më fute në këtë ferr.
– Lëre, ç’e do? – ma bëri ai sërish.
Ne kishim pirë tashmë nga dy gota dhe veçse kishte filluar turbullimi i parë. Çudi, që nga ajo lëre… e tij, nuk kishim këmbyer asnjë fjalë. Mbase boshllëkun e kishte mbushur zhurma e një kënge greke që përhapej nëpërmjet zmadhuesve të zërit. Kur pushoi muzika u përpoqa të gjeja një shkak për bisedë. S’ka gjë më të tmerrshme se kur, në mes të pijes ose të ahengut, krijohen boshllëqe, ndërprerje. Duke kërkuar atë fill bisede m’u duk se po kërkoja gjurmë tingujsh, zanore të humbura, bashkëtingëllore të shurdhuara. Ku? Nëpër shkretëtirë, nëpër pyll, nëpër xhungël? Më erdhi ndër mend proverbi i një të urti të fiseve afrikane: Në mal druaju qetësisë, jo zhurmës. Në xhunglën e heshtjes së nderë, zhurma e parë që më ndërmendi, qenë tingujt e këngës greke. Le ta ngas në këtë drejtim, thashë me vete. Fundja, në valën e shpërthimeve të brendshme politike, politika e jashtme ishte me më pak rrezik.
– Muzikën e kanë të mirë këta grekët, – i thashë, po seç ngatërrojnë me ato pasaportat e maqedonasve… dhe u nguta ta vështroja efektin e këtyre fjalëve në fytyrën e tij. Esesi drejtoi paksa kokën me po atë indiferencë dhe unë prita që ai të shqiptojë sërish atë sintagmën e tij bisedëprerëse lëre, ç’e do. Më erdhi lutesha, mos aman, thosha, vetëm këtë mos e thuaj. Ai nuk tha asgjë. Madje, pata përshtypjen se as që më kishte dëgjuar. Bezdia e tij e mbledhur në ato dy rrudha në ballë i kishte hapur shteg tjetër.
– Kam ditë e net që e kërkoj e nuk e gjej, – tha ai.
– Çfarë? – ia bëra unë krejt i hutuar.
– Të kujtohet ajo fletorja-libër në Normale, ku i fusnim gjethet e drurëve dhe të bimëve të ndryshme, si i thoshin? – pyeti.
– Herbarium, – i thashë pa u menduar.
– Pikërisht her-ba-ri-um, – aprovoi ai duke e ndarë fjalën në rrokje. Veçse këtu është fjala për një herbarium ku mblidhet mugullimi njerëzor, për një herbarium inkuizicioni.
Pa kuptuar asgjë u mata t’i përgjigjesha me atë shprehjen e tij lëre, ç’e do, por qetësia me të cilën fliste ai, një gjakftohtësi e pangjyrë, ma gudulisi shqetësimin nga brenda. Ku do të dalë, thashë me vete. Mendimi, në qoftë se mund të quhej mendim ai, të cilin e kishte shqiptuar brenda asaj fjalie, s’ishte tjetër veçse një labirint brenda të cilit përpëlitesha pa pikë force. Pos fjalës herbarium, të cilën ia kujtova unë dhe fjalës inkuizicion, të cilën e shtoi ai, sado që të huaja, të gjitha të tjerat bënë të pakuptimta. Pikërisht… Mugullim… Njerëzor… Ç’janë këto fjalë ku për një çast kuptimet e tyre rrëshqasin, zhvendosen, zhbëhen? – pyeta përhumbshëm dhe pa zë. Fletorja-libër, sesi më përftoi në kokë, pastaj ashtu heshtazi m’u bë se truri u dëbua diku jashtë qenies sime dhe u shndërrua në një administrator të gjithëkohshëm duke renditur përfytyrimet për gjithfarë librash: Libri i Amzës, Libri i Shpirtrave, Libri i të Lindurve, Libri i Të Vdekurve, Libri i Shtetësisë, Libri i Llogarive Përfundimtare, Libri i Kujtimeve, Libri i Orëve të Humbura, Libri i Bardhë, Libri i Kaltër, Libri i Kuq, Libri i Rekordeve i Ginisit, Libri i Zisë, Libri i Librave, Libri i Shpifjeve, Libri i Dëshmive të Rrejshme, Libri i Statistikave, Libri i Leximit, Libri i Këndimit të Çunavet, Libri… Përftonin librat në trurin tim si në Bibliotekën e djegur të Aleksandrisë, që nga tullat, papiruset e pergamenat e deri te dosjet. U mbyllën dosjet, u hapën dosjet, u zhduken dosjet. Dosja e zezë, e bardhë, dosja…
– Ç’po pëshpërit ashtu? S’është fjala për dosjet, – ma bëri.
Më tradhtoi truri apo goja, u inatosa me vetveten.
– Thashë, mbase!… – u nguta të ndreqja diçka.
– Jo, jo. Po të qe fjala për dosjet, ajo do të ishte më e zakonshmja. Në shërbimin tim dosjet janë rekuizitat e para. Është diç shumë më e thellë, vazhdoi ai – diç më skandaloze, shumë më e pabesueshme. Është diç që ty nuk të vete mendja kurrë, ashtu siç nuk do të kujtohesha as unë pa e parë.
Në këto çaste ndërgjegjja ime u dyzua. Një pjesë e saj përcillte fillin e bisedës, pjesa tjetër, e prirë nga imagjinata, hulumtonte nëpër humbella të errëta. Më në fund provova ta imitoja një çikë gjakftohtësinë e tij sepse, sido që të jetë puna, duhej ta lija një shteg sa për t’i tërhequr këmbët. Pastaj, sesi më erdhi një ide t’i thosha se edhe unë marr vesh sadopak në këto punë.
– Dëgjo, – i thashë, historia e njerëzimit është shumë e vjetër, ndaj asgjë nuk është aq e re sa të mos jetë provuar në një formë apo mënyrë, ashtu sikundër asgjë nuk është aq e vjetër sa të mos mund të provohet sërish në ndonjë formë apo mënyrë. Dalëngadalë e hetova se fjalimi im po shndërrohej në një lëmsh të ngatërruar. M’u bë se sytë e Esesit, me indiferencën e tyre bajate zunë të talleshin me mua. Duhej t’i thosha diç më të afërt, më konkrete, ndaj fillova me fenomenin e raportit të klasave, me shtypjen e shfrytëzimin, me tjetërsimin, asimilimin, shpëlarjen e trurit, zhdukjen.
– Inkët e lashtë, por edhe Majat, janë zhdukur nga faqja e dheut, – i thashë, por ka mbetur kultura e tyre materiale… Fjalimi im sërish zuri të rrëshqasë drejt tiradave. As Esesi s’u përmbajt:
– Mos më trego përralla, – tha pa u merakosur se në njëfarë dore më fyente. – Unë po të flas për herbariumin, madje për herbariumin e inkuizicionit që është unik. E di ti se në të është mbledhur mugullimi njerëzor i fisit tonë? Është shenjuar asgjësimi i energjive dhe i potencës krijuese të një populli. Nuk po të flas për dosjet. Një dosje e një njeriu, në fund të fundit, mund të përmbajë aq shënime e prova sa për ta dëshmuar fajin e tij, sa për ta ndëshkuar qoftë edhe me dënimin më të rëndë, me suprimimin e të drejtës për të jetuar. Por, të shenjohet asgjësimi i energjive krijuese të një populli, kjo mund të haset vetëm në herbariumin e inkuizicionit.
– Mos po u kthehesh edhe ti përrallave të mia? – i thashë me ndjenjë hakmarrjeje, po ai vazhdoi pa e prishur gjakun.
– Ke dëgjuar ti për evidencën e asgjësimit të gjeneve të kolektivitetit, për sterilitetin? Në vitin 2000 kaq e kaq për qind do të bjerë aftësia ripërtëritëse. S’është ky kastragim modern? Ke dëgjuar ti për metodën e verbimit kolektiv të intelektualëve? Në vitin 2000 kaq e kaq për qind prej tyre do të bredhin rrugëve me shkopinj të bardhë. Homerët modernë. Ke dëgjuar ti për evidencën e mënyrës së shurdhimit total të një kolektiviteti? Në vitin 2000 kaq e kaq për qind të këngëtarëve do të bredhin rrugëve me vesh të dyllosur. Kantilenë e erës së vetmisë. Ja, ky është Herbariumi i Inkuizicionit, Mbretëria e Harrimit, Bota e Hadit. Ja, ky jam unë, Selman Sojeva, Esesi, Nirvana, Cerberi, Karonti, Xhebraili që bëj roje në kopërtinat e Herbariumit.
Esesi nuk kishte pirë edhe aq sa ta humbte arsyen. Kaosi i mendimeve të tij më nxiti ca shoqërime idesh.
– Jemi mësuar me këto, – i thashë, që nga Masakra e Manastirit, e Tivarit, nëpër Elaboratet, Konventat xhentëlmenë e deri te Memorandumet po, të shkuara të harruara!
– Dëgjo këtu, – ma priti, unë po të flas për Herbariumin. Në të janë eksperimentet e tashme, mostrat e gjeneve të asgjësuara, kërdhokullat e syve të shteruara. Janë mostrat e timpaneve të pëlcitura, të duarve të thara, të gishtërinjve të këputur. Janë zërat e fëmijëve të palindur, të këngëve të pakënduara, të gjëmave të padëgjuara. Si thoshte ai Mickieviçi i polakëve, gjëmë e padëgjuar, zonja vrau zotërinë.
Ai pushoi. Përkundër mpirjes së trurit, çdo gjë e kisha të qartë, njëkohësisht që asgjë s’po kuptoja. Një herë pata përshtypjen se u trallisa, se i këtillë paskam qenë edhe para se t’i bëja të shtatë fëmijët. Pastaj duk se u verbova, se i këtillë paskam qenë edhe para se t’i mësoja të tridhjetë e gjashtë shkronjat dhe shtriva dorën mbi tavolinë si t’i kërkoja syzat që s’i kam vënë kurrë, madje as ato të diellit. Mu bë se gishtërinjtë i kisha të deformuar dhe pa ndjeshmërinë e prekjes. Zura të dridhem si nën një hipnozë të thellë. Tek lëvizja dorën ashtu pa kontroll mbi tavolinë, rrëkëlleva gotën e rakisë në dysheme, po nuk e dëgjova përplasjen e saj. Nuk dëgjova asgjë pos një ushtime. Këngën greke s’e kisha dëgjuar kurrë. Ata qenë vetëm tinguj të përfytyruar të një harrimi. Unë isha i paqenë me shqisa e gjymtyrë të asgjësuara e të renditura pjesë-pjesë në Herbarium.
– Ngrihemi! – i foli Selman Sojevës silueta ime. Ai u nis dhe pas i vinte tjetri që s’isha unë. Kur u futëm në natën pesëshekullore e pyeta:
– Në cilën periudhë kohe jemi?
Esesi nuk foli. Foli terri i përfytyruar:
– Në mezozoik.
– Ventruset! – pëshpëriti hija ime.
Këtu e një muaj më parë zura ta kërkoja atë Libër Tmerri. Në të vërtetë, kërkoja shëmbëllimin e tij. Nuk e gjej askund, madje as te Shtrigat e Mishlesë. Vallë, mos e tërë kjo s’ishte tjetër veçse një natë e fantaksur spirituale?! Tash e tridhjetë ditë e kërkoj Selman Sojevën e nuk e takoj askund. Aty ku duhet nuk guxoj. Po ta gjej Esesin, i gjej edhe gjurmët e atij Herbariumi të mallkuar. Mos ka vdekur Selman Sojeva? Nganjëherë më bëhet se as ka ekzistuar njeri me emër të tillë, as ka punuar në Sekretariat, as ka parë Herbarium të Inkuizicionit, as jam takuar me të para tridhjetë ditësh, as kam biseduar me të, as ekziston restoranti Dubrovniku, as Kurrizi, as Prishtina…
Prania e vetme që mund të dëshmohet është cogito ergo sum, rrebet e mia dhe ky tregim për Herbariumin e Inkuizicionit.
Drenicë, 1995
Marrë nga numri 27 i revistës “Akademia”



