Gjini: Kurti synon 22 nëntorin ose 27 dhjetorin për zgjedhjet, seanca e 9 shtatorit antikushtetuese
Kreu i Aleancës, Ardian Gjini, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po synon ta caktojë vetë datën e zgjedhjeve të reja, duke përmendur 22 nëntorin ose 27 dhjetorin.
Gjini e ka cilësuar antikushtetuese thirrjen e seancës së Kuvendit për 9 shtator, duke pretenduar se vendimet e fundit institucionale po e çojnë vendin drejt një krize edhe më të thellë.
“Thirrja e seancës më 9 shtator është shkelje brutale e normës dhe bindjes kushtetuese. Kjo është me u tallë me shtetin e me qytetarët, me abuzu skajshëm”, ka deklaruar Gjini.
Sipas tij, Kosova tashmë është jashtë, siç u shpreh, “normave të rregullimit kushtetues”, ndërsa paralajmëroi se precedentët e krijuar mund të sjellin pasoja afatgjata për funksionimin e shtetit.
“Kosova është vetëm jashtë normave të rregullimit kushtetues. Kjo është anarki”, ka thënë ai.
Gjini u ka bërë thirrje edhe dy partive të tjera opozitare që të mos bëhen pjesë e asaj që ai e cilësoi si shkelje kushtetuese dhe nxjerrje të Kosovës “nga binarët”.
Ai ka kritikuar ashpër edhe Kurtin, duke pretenduar se ky i fundit nuk po lë hapësirë për një zgjidhje normale dhe kushtetuese të krizës.
“Sot Kurti s’ka lënë rrugë për zgjidhje normale e kushtetuese. Ka mbyllur rrugët. Po dëshiron ta caktojë datën e zgjedhjeve vetë përmes shkeljeve”, është shprehur Gjini.
Kreu i Aleancës ka përsëritur se, sipas tij, pushteti po synon njërën nga dy datat për zgjedhjet e reja: 22 nëntorin ose 27 dhjetorin.
“Siç iu kam thënë, jemi dëshmitarë se krejt çka ndjek ky pushtet është me e caktu datën vetë. Ose 22 nëntorin ose 27 dhjetorin”, ka deklaruar Gjini.



