Jakup Krasniqi refuzon kujdesin shëndetësor në burgun e Hagës, njofton vajza e tij

21 tetor 2026 | 19:54

Gresë Krasniqi: Babai më tha se nuk do të pranojë më asnjë kujdes nga zyrtarët e burgut: “Dënimi i babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi!”

Jakup Krasniqi ka refuzuar kontrollin mjekësor nga mjekët e burgut në Hagë dhe ka njoftuar familjen se nuk do të pranojë më kujdes nga zyrtarët e këtij institucioni, ka bërë të ditur vajza e tij, Gresë Krasniqi.

Përmes një postimi, Gresë Krasniqi ka treguar se gjatë një bisede telefonike, babai i saj i ka thënë se ka refuzuar kontrollin nga mjekët, duke shprehur pakënaqësinë e tij ndaj trajtimit dhe procesit gjyqësor.

“Para një muaji, babi u dënua me 25 vjet burgim.

Sot, gjatë një telefonate, më tha: ‘Erdhën disa doktorë për të më kontrolluar, natyrisht që i refuzova. Jam këtu pa të drejtë, më është mohuar çdo e drejtë njerëzore tash e gjashtë vjet, prandaj nuk më duhet as kujdesi i tyre. Ju të jeni të informuar se unë nuk do të pranoj më asnjë kujdes nga ana e tyre’”, ka shkruar ajo.

Gresë Krasniqi ka shprehur shqetësimin për gjendjen dhe moshën e babait të saj, duke theksuar se ai ka nevojë për kujdes të veçantë shëndetësor. Megjithatë, ajo ka ngritur dilema për mënyrën se si mund t’i kërkojë atij të pranojë kujdesin nga institucionet ndaj të cilave, sipas saj, ai ndihet i tradhtuar.

“Si bijë, natyrisht që u shqetësova. Babi është në një moshë kur ka nevojë për kujdes të veçantë.

Por, si njeri që i kam kaluar 30 vitet e jetës sime duke e njohur dashurinë dhe lirinë, a mund ta detyroj një njeri tjetër, i cili e ka kaluar gjithë jetën e tij me sakrifica dhe që, me këtë dënim të fundit, pritet të kalojë mbi 35 vjet në burgje, t’i përshtatet një sistemi që i ka sjellë vetëm vuajtje dhe padrejtësi?”, ka shkruar ajo.

Ajo ka theksuar se ndihet e pafuqishme përballë asaj që e cilëson si padrejtësi ndërkombëtare, duke bërë të ditur se mesazhi i saj për të atin ishte që ai të qëndrojë i fortë dhe i shëndetshëm.

“U ndjeva aq e pafuqishme përballë kësaj fuqie ndërkombëtare kaq të padrejtë.

‘Ne jemi këtu, Babi. Të duam të fortë, të duam të shëndetshëm.’

Kaq pata fuqi t’i them”, ka shkruar Gresë Krasniqi.

Në fund të postimit, ajo ka kundërshtuar ashpër dënimin e babait të saj, duke e cilësuar atë si padrejtësi.

“Dënimi i babit nuk është një gabim që pret të korrigjohet. Është një padrejtësi!”, ka përfunduar ajo.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një video ë rrjetet sociale…