Jashari paralajmëron reagim nëse në Hagë merret vendim politik: Kush e fyen UÇK-në, fyen edhe shtetësinë e Kosovës
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka paralajmëruar reagim në rast se Gjykata Speciale në Hagë merr një vendim që, sipas tij, do të ishte politik ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një konferencë për medie, Jashari u ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në marshin e 12 shtatorit në Prishtinë, ndërsa ka njoftuar se organizatat e dala nga lufta po përgatiten edhe për pritjen e verdiktit përfundimtar më 16 shtator.
Jashari e ka cilësuar Gjykatën Speciale si politike dhe ka pretenduar se procesi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është i padrejtë.
Ai ka deklaruar se nëse vendimi do të bazohet në prova, pret që ish-krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm, ndërsa ka shprehur shqetësimin se mund të ketë ndikim politik në vendimmarrje.
“Ne nuk do të rrijmë me duar kryq”, ka thënë Jashari, duke paralajmëruar reagim në rast të një vendimi që ai e konsideron politik.
Jashari ka bërë thirrje për bashkim rreth aktiviteteve të 12 dhe 16 shtatorit, duke theksuar se lufta e UÇK-së, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“Kur preket në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, preket në lirinë e Kosovës. Dhe kur preket në krerët e ushtrisë që mbahen atje padrejtësisht dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, preket në shtetësinë e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Ai u ka dërguar mesazh edhe atyre që kritikojnë ose fyejnë UÇK-në, duke thënë se një veprim i tillë, sipas tij, nënkupton edhe cenim të shtetësisë së Kosovës.
“Duke i fyer e sharë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Hagë dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, fyejnë e shajnë shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Jashari.
Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj, ka bërë thirrje që protesta e 12 shtatorit të jetë masive. Ai ka ftuar veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve, qytetarët nga Kosova, shqiptarët nga rajoni dhe mërgimtarët që t’i bashkohen marshit.
Protesta do të mbahet më 12 shtator, në orën 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa më 16 shtator pritet të zhvillohen aktivitetet e organizuara për pritjen e vendimit përfundimtar ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.



