Orët kritike…

07 shtator 2026 | 11:13

Aty ku forca mbarojë dhe, gjithçka u drejtua drejt së përjetshmes.

23 gusht 2026, nata dhe mëngjesi kur edhe shpresa filloi të shuhej. Numrat nisën të binin, rrahjet e zemrës u ngadalësuan dhe fuqia po humbte. Mjekët bënë gjithçka që mundën. U përpoqën deri në kufirin e së pamundurës. Ne qëndruam afër, u lutëm, e thirrëm, e prekëm. E donim të zgjuar, donim që t’na fliste e t’na buzëqeshte. E donim një sinjal nga Altini, një sinjal që thoshte do zgjohem, Por, jo, fatkeqësisht, aty u dha fryma e fundit, aty humbëm Altinin. Këtë lajm të rëndë, na dha mjeku. Me lot në sy, e i mërzitur na tha; ngushëllime! Policin nuk mundëm ta çonim.

U tronditëm…
Altini na la… iku, iku për të mos vdekur kurrë.

Edhe pse dielli lëshonte rrezet maksimale, për ne u bë errësirë. Për ne edhe bota u rrotullua. Moment i vështirë, fjalët u zhduken, këmbët sna mbanin, u mbështetëm te i madhi Zot, te zoti dhe tek njëri-tjetri, aty ku provuam të mbledhim forcën, forcë për të vazhduar.

Pranuam vendimin e zotit.

Kështu ishte e shkruar, zoti e deshi më shumë dhe e mori pranë vetes. Ndërsa ne na vuri në sprovë, në një sprovë shumë të rëndë.

I dashur Altin, koha dhe jeta na detyrojnë të ecim para, edhe përkundër dhimbjes së madhe. Por jemi të bindur se ti na sheh e na ndjek nga lart, nga qielli i ndritur, aty ku ke zënë vendin e merituar. Ti je ai ylli i madh që do zdritë përgjithmonë.

Kurse ne, jemi në botën e përkohshme, në botën e dhimbjes, borxheve dhe sprovave të shumta.

Koha nuk ka të ndalur, ditët, javët, muajt e vitet do të kalojnë, por dhimbja dhe kujtimet për ty do të mbesin gjithmonë të freskëta dhe të paharruara.

Mosha jote e re, planet për jetën, ëndrrat e shumta, dashuria për familjen, afërsia dhe respekti ndaj nesh, fjalët dhe sjelljet tuaja janë të ngulitura thellë në zemrat tona.

Altin, faleminderit që na le fytyrën, krenarinë, nderin dhe respektin që ndërtove gjatë jetës tënde.

Ne na le edhe një detyrë:
Që mos të harrojmë kurrë!

Altin, ti nuk je më vetëm kujtim.
Ti je emër që do të jetojë përgjithmonë.

Valon Kryeziu
06.09.2026

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca ka zhvilluar një aksion simbolik para Kuvendit të Kosovës,…