Rama: Në vitin 1990 u rrezikua gjithçka për Kushtetutën, sot pushteti i Kurtit po e shkel atë

07 shtator 2026 | 11:49

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka përkujtuar 7 shtatorin, përvjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, duke e cilësuar këtë akt si një prej vendimeve më të guximshme dhe largpamëse në historinë politike të Kosovës.

Përmes një postimi në “Facebook”, Rama ka thënë se më 7 shtator 1990, Kosova, edhe nën okupim, zgjodhi të vepronte si shtet.

Ai ka theksuar se Kushtetuta e Kaçanikut u miratua në një kohë kur Kosovës i ishte hequr autonomia, institucionet po pushtoheshin dhe shqiptarët po përjashtoheshin nga jeta publike.

“7 shtator 1990, kur Kosova, edhe nën okupim, zgjodhi me vepru si shtet. Sot kujtojmë një prej akteve ma të guximshme e ma largpamëse të historisë sonë politike, Kushtetutën e Kaçanikut. Në kohën kur Kosovës ju morr autonomia, kur institucionet pushtoheshin e shqiptarët po përjashtoheshin prej jetës publike, kishte nga ata që e kuptonin një të vërtetë të madhe: liria duhej jo vetëm me u kërku, por edhe me u ndërtu juridikisht e institucionalisht. Më 7 shtator 1990 këta burra e gra të guximshëm i dhanë Kosovës Kushtetutën e saj”, ka shkruar Rama.

Rama ka vlerësuar se ajo gjeneratë e kuptonte Kushtetutën si kufi të pushtetit, mbrojtje të qytetarit dhe një marrëveshje që përcakton se askush nuk është mbi shtetin.

“Më 7 shtator 1990 këta burra e gra të guximshëm i dhanë Kosovës Kushtetutën e saj. Ajo gjeneratë e dinte se Kushtetuta është kufiri i pushtetit. Është mbrojtja e qytetarit. Është marrëveshja se askush nuk është mbi shtetin”, ka shkruar Rama.

Më tutje, ai ka kritikuar Qeverinë aktuale dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e lidhur përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut me zhvillimet politike të vitit 2026.

“Në vitin 1990, nën represion, shqiptarët rrezikonin veten për ta krijuar një rend kushtetues. Në vitin 2026, në shtetin e lirë të Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht shkel Kushtetutën dhe me plot vetëdije i shtyn kufijtë e rendit kushtetues”, ka shkruar Rama.

Rama ka thënë se shteti i Kosovës është ndërtuar me sakrificë dhe se asnjë pushtet nuk ka të drejtë ta cenojë Kushtetutën.

“Lavdi vizionit, guximit dhe përgjegjësisë shtetërore të atyre që më 7 shtator 1990 i dhanë Kosovës Kushtetutën e Kaçanikut”, ka shkruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja Irina Shayk u shfaq në tapetin e kuq të…