Përfundon seanca e Kuvendit, miratohet Komisioni për RTK-në, dështon tri herë propozimi i Listës Serbe
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar për ditën e sotme, pas diskutimeve të deputetëve dhe votimeve për pikat e rendit të ditës.
Gjatë seancës, deputetët miratuan formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër pozita në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), ndërsa propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare nuk arriti të miratohej, edhe pas tri herë votimi.
Formimi i Komisionit Ad-Hoc u miratua me 80 vota për, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.
Komisioni do të merret me përzgjedhjen e dy anëtarëve nga komuniteti shqiptar, një anëtari nga komuniteti serb dhe një anëtari nga komunitetet e tjera joshumicë në Bordin e RTK-së.
Ndërkaq, propozimi i Listës Serbe për përfaqësimin e deputetëve të saj në komisionet parlamentare doli tri herë në votim, por nuk mori mbështetjen e nevojshme për t’u miratuar.
Një nga momentet që tërhoqi vëmendje gjatë seancës ishte përplasja në foltoren e Kuvendit mes deputetes së Aleancës, Teuta Haxhiu, dhe kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Deputetes Teuta Haxhiu i kishte përfunduar koha e paraparë për fjalim, por ajo kërkoi që t’i jepej kohë shtesë për ta përfunduar deklarimin e saj.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk ia lejoi vazhdimin e fjalimit dhe ia dha fjalën deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli.
Megjithatë, Teuta Haxhiu insistoi të vazhdonte fjalën e saj dhe nuk u largua nga foltorja edhe pasi i kishte përfunduar koha e caktuar për diskutim. Situata u shoqërua me tensione gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit.
Gjatë seancës, deputetët ngritën edhe çështje të tjera politike dhe institucionale.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, kërkoi që institucionet e Kosovës të mbështesin një mekanizëm profesional dhe të pavarur për monitorimin e procedurave pranë Dhomave të Specializuara në Hagë.
Duke iu referuar raportit të Avokatit të Popullit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ajo theksoi nevojën që shqetësimet për të drejtat e ish-drejtuesve të UÇK-së të trajtohen nga institucionet përgjegjëse.
“Kur institucioni kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut ngre shqetësime të kësaj peshe, Kuvendi ka detyrim t’i shqyrtojë ato dhe të kërkojë veprim nga institucionet përgjegjëse”, deklaroi Deliu-Kodra.
Ajo kërkoi gjithashtu që shqetësimet e evidentuara t’u adresohen zyrtarisht Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi, kritikoi Serbinë për atë që e cilësoi si standard të dyfishtë në raport me të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe përfaqësimin e komuniteteve.
Duke komentuar deklarimet e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ajo kërkoi përgjegjësi për sulmin e armatosur në Banjskë dhe ngriti çështjen e Milan Radoiçiqit.
Mehmeti-Selimi përmendi edhe gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke ngritur shqetësime për pasivizimin e adresave, njohjen e diplomave dhe përfaqësimin e tyre në institucionet e Serbisë.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, kritikoi Ministrinë e Shëndetësisë për mungesën e terapisë për pacientët me kancer.
Ajo iu referua rastit të një pacienteje, për të cilën Shoqata e Pacientëve me Kancer “Renesansa” kishte raportuar se kishte mbetur për rreth katër muaj pa medikamentin Palbociclib.
Ymeri ngriti shqetësime edhe për rritjen e vdekjeve dhe të rasteve të reja me tumore, duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet shëndetësore.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, iu përgjigj kritikave duke kundërshtuar mënyrën e raportimit të rastit dhe duke thënë se shkaku i vdekjes nuk mund të përcaktohet pa procedurat e nevojshme mjekësore.
Ai kritikoi një gazetare dhe mediumin ku ajo punon, duke pretenduar se lajmi ishte publikuar pa verifikimin e duhur me shoqatën dhe institucionet shëndetësore.
Pas zhvillimit të diskutimeve dhe votimeve, seanca u përmbyll nga deputeti Ardian Gola, i cili mori drejtimin e punimeve pas Albulena Haxhiut.
Me këtë, Kuvendi i Kosovës përfundoi seancën e sotme, ku u miratua formimi i Komisionit Ad-Hoc për Bordin e RTK-së, ndërsa propozimi i Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare nuk u miratua pas tri tentimeve për votim.



