‘Shqiponjat nisen maleve të larta’, Gold AG i bashkohet thirrjes për marshin e 12 shtatorit
Arian Agushi, i njohur me emrin artistik Gold AG, është në mesin e artistëve të shumtë që i janë bashkuar thirrjes për marshin e 12 shtatorit në Prishtinë.
Marshi do të zhvillohet në mbështetje të krerëve të UÇK-së, të cilët janë në pritje të shpalljes së aktgjykimit më 16 shtator në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gold AG i është bashkuar thirrjes për pjesëmarrje në marsh, duke publikuar një fotografi të katërshes së UÇK-së, në të cilën konfirmohen data dhe vendi i organizimit.
Krahas fotografisë, ai ka shkruar edhe një varg nga një prej këngëve të tij.
“Shqiponjat nisen maleve t’larta. Qëndisin ballin me shkronja t’arta. UÇK”, ka shkruar Gold AG.
Thirrja e reperit vjen në një periudhë kur çështja e ish-krerëve të UÇK-së vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në Kosovë, ndërsa qytetarë, figura publike dhe përfaqësues të ndryshëm kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me procesin në Hagë.
Marshi i 12 shtatorit pritet të mbledhë qytetarë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, të cilët synojnë të shprehin mbështetjen e tyre për ish-krerët e UÇK-së dhe të përcjellin mesazh solidariteti në prag të vendimit të Dhomave të Specializuara.



