Valon Prebreza liron nga detyra drejtorin e arrestuar nën dyshimin për tjetërsim të pronës

10 shtator 2026 | 12:17

Kryetari i Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka liruar nga detyra drejtorin e Pronës, Gëzim Zogianin, i cili është arrestuar nën dyshimin për tjetërsim të një prone në vlerë prej 1.5 milion eurosh.

Prebreza ka bërë me dije se vendimi për lirimin e Zogianit nga detyra është marrë deri në sqarimin e plotë të çështjes nga organet e drejtësisë.

“Të martën, në një aksion të organeve të drejtësisë, janë arrestuar pesë zyrtarë të Komunës së Fushë-Kosovës, në mesin e tyre edhe drejtori i Pronës, z. Gëzim Zogiani. Meqenëse që nga dita e martë ndodhem në udhëtim zyrtar, dua t’ju njoftoj se menjëherë pas kthimit tim do ta liroj nga detyra Drejtorin e Pronës, deri në sqarimin e plotë të kësaj çështjeje nga organet e drejtësisë”, ka shkruar Prebreza.

Ai ka thënë se nuk do të ketë mbrojtje politike për askënd dhe se transparenca, llogaridhënia dhe sundimi i ligjit do të jenë standarde të qeverisjes së tij.

“Nën qeverisjen time nuk do të ketë mbrojtje politike për askënd. Transparenca, llogaridhënia dhe sundimi i ligjit nuk janë slogane elektorale, por standard mbi të cilin do të funksionojë Komuna e Fushë-Kosovës”, ka shkruar Prebreza.

Prebreza ka theksuar se përgjegjësia e të arrestuarve nuk do të paragjykohet, pasi ajo, sipas tij, përcaktohet vetëm nga organet e drejtësisë.

“Natyrisht, nuk do ta paragjykojmë përgjegjësinë e askujt. Atë e përcaktojnë vetëm organet e drejtësisë. Nga informacionet që posedoj deri më tani, hetimet lidhur me çështjen dhe pronën në fjalë kanë filluar më herët dhe për të njëjtën çështje ka pasur të arrestuar edhe gjatë vitit 2025”, ka shkruar Prebreza.

Kryetari i Fushë-Kosovës ka thënë se Komuna do të bashkëpunojë plotësisht me Prokurorinë dhe organet e tjera të drejtësisë.

“Koha kur politika mbyllte sytë përballë dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka përfunduar. Komuna e Fushë-Kosovës do t’i hapë dyert për Prokurorinë dhe çdo organ tjetër të drejtësisë dhe do të ofrojë bashkëpunim të plotë për çdo hetim”.

“Kushdo që ka shkelur ligjin, kushdo që ka keqpërdorur pozitën apo besimin e qytetarëve, duhet të mbajë përgjegjësi – pa dallim emri, pozite apo përkatësie. Ne kemi marrë besimin e qytetarëve për ta ndryshuar mënyrën se si qeveriset Fushë-Kosova. Dhe këtë besim nuk do ta negociojmë me askënd”, ka shkruar Prebreza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur mbështetje për marshin…