Abdixhiku: Lidhja e Kosovës me SHBA-në është e ndërtuar mbi besim, vlera dhe solidaritet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Abdixhiku ka thënë se sulmet e 11 Shtatorit 2001, ku humbën jetën rreth 3 mijë persona, tronditën mbarë botën dhe mbetën në kujtesën kolektive si një nga aktet më të rënda të terrorizmit.
“Mëngjesi i 11 Shtatorit 2001, që mori jetën e rreth 3,000 njerëzve të pafajshëm, tronditi mbarë botën dhe mbeti në kujtesën e përbashkët si një nga aktet më të rënda të terrorizmit”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se sulmi nuk ishte vetëm një goditje ndaj Shteteve të Bashkuara, por edhe një sfidë ndaj vlerave themelore të shoqërive demokratike, si liria, paqja dhe bashkëjetesa.
“Sot, përulemi me respekt të thellë para kujtimit të viktimave dhe shprehim solidaritetin tonë të plotë me familjet e tyre dhe me popullin amerikan. Dhimbja e tyre është pjesë e kujtesës sonë të përbashkët”, ka deklaruar ai.
Kreu i LDK-së ka theksuar se Kosova e njeh më së miri çmimin e lirisë dhe rëndësinë e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm marrëdhënie mes dy vendeve; është një lidhje e ndërtuar mbi besim, vlera dhe një histori të përbashkët solidariteti”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka riafirmuar përkushtimin ndaj aleancës me SHBA-në dhe vlerave demokratike që ajo përfaqëson.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për viktimat e 11 Shtatorit”, ka përfunduar Abdixhiku.



