Deda për Kurtin dhe LV-në: Epërsia e tyre te qytetarët nuk do të zgjasë përgjithmonë
Analisti Ilir Deda ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, ku sërish ka dështuar konstituimi për shkak të mosvotimit të Vlora Çitakut, kandidates së PDK-së për nënkryetare të Kuvendit, nga deputetët e Vetëvendosjes.
Seanca u ndërpre nga kryesuesja Albulena Haxhiu, pa u hedhur në votim kandidatura e LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, për të cilin LV-ja po ashtu ka deklaruar se nuk i ka votat.
Paraprakisht, deputetët e PDK-së dhe LDK-së kishin votuar kandidatin e LV-së, Ardian Gola, për nënkryetar të Kuvendit.
Deda, përmes një postimi në “Facebook”, ka kritikuar qasjen e LV-së, duke thënë se “me diktat” nuk mund të arrihet asgjë në politikë, veçanërisht në një sistem demokratik.
“Me diktat asgjë s’mundesh me mbrri as në jetë, as në politikë. Sidomos jo në demokraci. Ky kuazi-pushtet që veç gjeneron krizë, mirë kish qenë me e ditë që epërsia e tyre te qytetarët nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe se krejt çka po bëjnë një ditë mund t’u kthehet bumerang”, ka shkruar Deda.



