Lushtaku i ashpër me deputetët e LV-së: Gënjyen publikisht
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka reaguar pas mosvotimit të Vlora Çitakut për nënkryetare të Kuvendit nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LV).
Përmes një postimi në “Facebook”, Lushtaku ka akuzuar deputetët e LV-së se kishin garantuar se do ta votonin kandidaten e PDK-së, por një minutë më vonë nuk e kanë bërë këtë.
“Garantuan se do ta votojnë kandidaten e PDK-së për nënkryetare. Një minutë më vonë, nuk e votuan. Gënjyen publikisht”, ka shkruar Lushtaku.
Ai më pas ka renditur edhe një sërë çështjesh për të cilat, sipas tij, LV-ja ka gënjyer qytetarët.
Lushtaku ka thënë se Vetëvendosje ka gënjyer edhe për Bashkimin kombëtar, kthimin e të pagjeturve, sigurimin shëndetësor, zero TVSh për produktet elementare, Fondin Sovran, luftimin e korrupsionit, 4 000 banesa të përballueshme për familjet dhe çiftet e reja, 160 çerdhe të reja, Bankën Zhvillimore të Kosovës, etj.
Mosvotimi i Çitakut nga deputetët e LV-së ka shkaktuar përplasje mes dy subjekteve politike, në kohën kur procesi i konstituimit të Kuvendit ende nuk ka përfunduar.



