Dr. Blerina Mema: Infeksionet mykotike, si t’i dalloni dhe pse duhet shmangur vetëtrajtimi
Infeksionet mykotike të lëkurës janë ndër problemet e shpeshta dermatologjike që mund të shfaqen në pjesë të ndryshme të trupit, duke shkaktuar si pasojë shenja të tilla si skuqja, kruajtja, djegia, thatësia dhe luspat e lëkurës.
Megjithatë, jo çdo skuqje apo kruajtje nënkupton domosdoshmërisht një infeksion të tillë. Për këtë arsye, vetëdiagnostikimi dhe përdorimi i trajtimeve pa këshillën e mjekut janë të rrezikshme, pasi ato mund të ndikojnë direkt në përkeqësimin e gjendjes apo rikthimin e saj.
Nisur nga kjo, në kuadër të rubrikës “Mjeku i Javës”, Dr. Blerina Mema, specialiste e dermatovenerologjisë, shpjegon se si të dallohen këto infeksione, cilat janë zonat më të prekura dhe cilat janë gabimet më të shpeshta që pacientët bëjnë gjatë vetë-trajtimit.
Intervista e plotë:
Gazeta Shneta: Si mund ta kuptojë një pacient se ka infeksion mykotik në lëkurë dhe cilat janë shenjat më të zakonshme?
Dr. Blerina Mema: Infeksionet mykotike të lëkurës mund të paraqiten në forma të ndryshme, varësisht nga lokalizimi dhe lloji i kërpudhës. Shenjat më të zakonshme janë skuqja, kruajtja, djegia, thatësia dhe luspat e lëkurës. Shpesh lezioni ka formë rrethore ose unazore, me skaj më të theksuar dhe qendër relativisht më të pastër. Në këmbë mund të vërehet luspat, çarje dhe macerim ndërmjet gishtërinjve, ndërsa në thonj mund të shfaqen trashje, ndryshim i ngjyrës dhe brishtësia e thoit. Megjithatë, vetëm pamja klinike nuk është gjithmonë e mjaftueshme për të vendosur diagnozën. Në raste të dyshimta ose të përsëritura mund të nevojitet ekzaminim mikologjik/KOH ose kulturë.
Në cilat pjesë të trupit shfaqen më shpesh infeksionet mykotike dhe pse këto zona janë më të prekshme?
Dr. Blerina Mema: Më shpesh preken shputat dhe hapësirat ndërmjet gishtërinjve të këmbëve, ijët, palat e lëkurës, trungu, duart dhe thonjtë. Këto zona janë më të predispozuara sepse krijojnë kushte të favorshme për zhvillimin e kërpudhave: lagështia, nxehtësia, djersitja, mbyllja e lëkurës dhe fërkimi. Për shembull, këpucët e mbyllura për një kohë të gjatë krijojnë një ambient të ngrohtë dhe të lagësht, veçanërisht ndërmjet gishtërinjve.
A është kruajtja gjithmonë shenjë e mykut?
Dr. Blerina Mema: Jo. Kruajtja nuk është specifike për infeksionet mykotike. Ajo mund të shfaqet edhe në dermatit atopik, dermatit kontakti, ekzemë, psoriazë, zgjebë dhe shumë sëmundje të tjera të lëkurës. Pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme të mos supozohet automatikisht se çdo skuqje që kruhet është “myk”. Një diagnozë e gabuar mund të çojë në trajtim joefektiv ose në përkeqësim të gjendjes.
A mund të përkeqësohet infeksioni nëse përdoret trajtimi i gabuar?
Dr. Blerina Mema: Po. Ky është një problem mjaft i zakonshëm. Veçanërisht problematik është përdorimi pa këshillë mjekësore i kremrave me kortikosteroide, ose kombinimeve të kortikosteroidit me antimykotik dhe/ose antibiotik. Kortikosteroidi mund të zvogëlojë përkohësisht skuqjen dhe kruajtjen, duke krijuar përshtypjen se infeksioni po shërohet, ndërkohë që infeksioni mykotik mund të vazhdojë dhe madje të përhapet. Kjo gjendje njihet si “tinea incognito”. Prandaj, sidomos kur diagnoza nuk është e sigurt, rekomandohet vlerësimi nga mjeku ose dermatologu.
Pse infeksioni largohet përkohësisht, por më pas rikthehet?
Dr. Blerina Mema: Rikthimi mund të ketë disa arsye. Më e zakonshmja është trajtimi jo i plotë ose ndërprerja e tij para kohe.
Gjithashtu duhet menduar për:
– riinfektimin nga këpucët, peshqirët ose ambienti;
– infeksion të njëkohshëm të thonjve, i cili mund të shërbejë si rezervuar për infeksionin;
– djersitje të shtuar dhe lagështi të vazhdueshme;
– diabet ose faktorë të tjerë predispozues;
– diagnozë të pasaktë, pra që problemi nuk ka qenë fare infeksion mykotik.
Në rastet e përsëritura duhet rivlerësuar diagnoza dhe burimi i riinfektimit, jo thjesht përsëritur të njëjtin krem.
A duhet trajtimi të vazhdojë edhe pasi të zhduken njollat dhe kruajtja?
Dr. Blerina Mema: Në përgjithësi, po, trajtimi duhet të ndiqet për të gjithë kohëzgjatjen e rekomanduar, edhe nëse simptomat zhduken më herët. Zhdukja e kruajtjes dhe skuqjes nuk do të thotë domosdoshmërisht se kërpudha është eliminuar plotësisht. Ndërprerja e parakohshme mund të favorizojë rikthimin e infeksionit. Megjithatë, kohëzgjatja e trajtimit ndryshon sipas llojit të infeksionit, lokalizimit dhe preparatit të përdorur, prandaj pacienti duhet të ndjekë udhëzimin e mjekut ose fletëudhëzimin e preparatit.
A mund të transmetohet myku nga një person te tjetri?
Dr. Blerina Mema: Po. Shumë infeksione mykotike të lëkurës janë ngjitëse dhe mund të transmetohen përmes kontaktit të drejtpërdrejtë lëkurë me lëkurë ose përmes sendeve të kontaminuara.
Përhapja mund të ndodhë përmes peshqirëve, rrobave, këpucëve dhe çorapeve, pajisjeve sportive, dyshemeve të lagështa, si dushet dhe pishinat, kontaktit me kafshë të infektuara, në rastin e disa dermatofiteve.
Kur mjafton trajtimi lokal dhe kur nevojiten barnat orale?
Dr. Blerina Mema: Infeksionet e kufizuara të lëkurës shpesh mund të trajtohen me antimykotikë lokalë, si kremra, xhele ose solucione, në varësi të diagnozës.
Trajtimi sistemik me barna orale mund të merret në konsideratë kur:
– infeksioni është i përhapur ose i rëndë;
– trajtimi lokal ka dështuar;
– janë të përfshirë thonjtë ose skalpi;
– ka përsëritje të shpeshta;
– lokalizimi ose lloji i infeksionit e kërkon trajtimin sistemik.
Barnat orale nuk duhet të merren pa vlerësim mjekësor, sepse zgjedhja e preparatit, dozës dhe kohëzgjatjes varet nga diagnoza dhe gjendja e pacientit, si dhe nga ndërveprimet dhe kundërindikacionet e mundshme.
Çfarë duhet të bëjë pacienti kur myku rikthehet disa herë?
Dr. Blerina Mema: Nëse infeksioni është trajtuar disa herë dhe vazhdon të rikthehet, nuk rekomandohet thjesht të përsëritet i njëjti trajtim pa rivlerësim. Duhet të konsultohet dermatologu për të konfirmuar diagnozën dhe, në raste të përshtatshme, të bëhet ekzaminim mikologjik. Duhet gjithashtu të vlerësohen faktorët që favorizojnë rikthimin, si infeksioni i thonjve, djersitja e shtuar, diabeti, kontakti me persona të infektuar ose ekspozimi i përsëritur ndaj burimit të infeksionit. Vizita te dermatologu është veçanërisht e rëndësishme kur infeksioni është i përhapur, nuk përmirësohet pas trajtimit korrekt, prek thonjtë ose skalpin, shfaqet shpesh, ose diagnoza nuk është e qartë.
Cilat janë gabimet më të shpeshta që pacientët bëjnë gjatë vetë-trajtimit?
Dr. Blerina Mema: Gabimet më të zakonshme janë:
– vetëdiagnostikimi i çdo skuqjeje si “myk”;
– përdorimi i kremrave me kortikosteroid pa këshillë mjekësore;
– përdorimi i preparateve të ndryshme njëkohësisht pa e ditur diagnozën;
– ndërprerja e trajtimit sapo zhduket kruajtja;
– përdorimi i të njëjtit peshqir, çorape ose këpucë të kontaminuara;
– mosmbajtja e këmbëve dhe palave të lëkurës të thata;
– mos trajtimi ose mosvlerësimi i thonjve të infektuar, kur ata janë burim i mundshëm i rikthimit;
– përdorimi i antibiotikëve ose barnave të tjera pa indikacion;
– përsëritja e trajtimit për muaj me radhë pa konfirmuar diagnozën.
Mesazhi kryesor për pacientët: jo çdo skuqje dhe kruajtje është myk. Një diagnozë e saktë është hapi i parë për një trajtim të suksesshëm. Në rastet e përsëritura, të përhapura ose rezistente ndaj trajtimit, vlerësimi nga dermatologu dhe, kur është e nevojshme, konfirmimi mikologjik janë veçanërisht të rëndësishëm.
Dr. Blerina Mema, specialiste e dermatovenerologjisë.



