MAPL kërkon nga tri komunat veriore emërimin e përfaqësuesve të komuniteteve

11 shtator 2026 | 10:45

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka kërkuar nga kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit dhe Zubin Potokut që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve ligjore për përfaqësimin e komuniteteve në institucionet e pushtetit lokal.

Krasniqi ka bërë me dije se kërkesa zyrtare përfshin emërimin e nënkryetarëve për komunitete, si dhe të zëvendëskryesuesve të kuvendeve komunale për komunitete.

Sipas tij, këto nuk janë çështje të vullnetit institucional, por obligime të përcaktuara me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

“Është e rëndësishme të theksohet se ka komuna si Gjakova, Lipjani, Ferizaj dhe të tjera, të cilat edhe pse nuk kanë pasur obligim të drejtpërdrejtë ligjor për një përfaqësim të tillë, e kanë përmbushur atë përmes vullnetit politik dhe institucional, duke dëshmuar përkushtim për gjithëpërfshirje dhe përfaqësim të komuniteteve”, ka shkruar Krasniqi në ‘Facebook’.

Ai ka thënë se është e papranueshme që komunat që kanë obligim ligjor të mos i kenë përmbushur këto detyrime.

Krasniqi ka theksuar se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të vazhdojë të kërkojë nga të gjitha komunat respektimin dhe zbatimin e plotë të legjislacionit për vetëqeverisjen lokale, me qëllim garantimin e përfaqësimit, gjithëpërfshirjes dhe trajtimit të barabartë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka bërë…