Rezultatet e PISA-s, Hisen Berisha për Nagavcin: Nëse kjo qenka sukses, si duket atëherë dështimi në arsim?
Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës së ish-ministres së Arsimit, e cila ka thënë se ndihet “shumë mirë” për punën e bërë gjatë mandatit të saj.
Berisha, përmes një postimi në Facebook, ka vënë në pikëpyetje këtë deklaratë, duke e lidhur atë me rezultatet e nxënësve të Kosovës në testimin ndërkombëtar PISA.
“PISA nuk është propagandë politike. Është matje ndërkombëtare e dijes dhe aftësive të nxënësve”, ka shkruar
Berisha, duke ngritur pyetjen se si mund të ndihet “shumë mirë” ish-ministrja për punën e saj, kur rezultatet e nxënësve tregojnë, sipas tij, një realitet shqetësues.
Ai ka ngritur edhe një dilemë politike, duke pyetur nëse bëhet fjalë për paaftësi dhe dështim qeverisës apo për një politikë që, sipas tij, po e çon arsimin drejt degradimit.
Berisha ka bërë edhe një krahasim me periudhën e viteve ’90, kur arsimi shqip në Kosovë ishte përballur me represionin e institucioneve serbe.
“Natyrisht, format dhe rrethanat nuk janë të njëjta. Atëherë kishim represion shtetëror serb, përjashtim institucional dhe dhunë. Sot kemi institucione të Kosovës dhe përgjegjësi të një pushteti të zgjedhur”, ka shkruar ai.
Sipas Berishës, pikërisht për këtë arsye përgjegjësia e institucioneve të Kosovës është edhe më e madhe.
Ai ka kritikuar gjithashtu atë që e quan “propagandë të komiteteve partiake”, duke thënë se të kundërtën duhet ta dëshmojnë rezultatet.
“Arsimi nuk mbrohet me deklarata se ‘ndihem shumë mirë’. Arsimi mbrohet me rezultate, shkolla funksionale, mësues të mbështetur, laboratorë, tekste cilësore me programe tematike që mbrojnë vlerat kombëtare dhe synojnë trendet botërore në shkencë”, ka deklaruar Berisha.
Në fund, ish-deputeti i PDK-së ka theksuar se arsimi shqip është një nga fitoret më të mëdha të popullit të Kosovës dhe nuk është pronë e asnjë partie politike.
“Një pyetje esenciale për LVV-në është se, nëse kjo qenka sukses, si duket atëherë dështimi?”, ka përfunduar Berisha.
Postimi i plotë i tij:
“Ndjehem shumë mirë për punën që kam bërë si ministre e Arsimit.”
(https://www.facebook.com/share/p/19F5Cyuerr/?mibextid=wwXIfr)
Kjo është deklarata e dades ish-ministre të arsimit.
Por përballë kësaj deklarate qëndron realiteti i arsimit në Kosovë dhe rezultatet e nxënësve tanë.
PISA nuk është propagandë politike. Është matje ndërkombëtare e dijes dhe aftësive të nxënësve.
Prandaj është e pashmangshme pyetja se, si mund të ndihet “shumë mirë” ish-ministrja për punën e saj, kur rezultatet tregojnë një realitet shqetësues?
Dhe pyetja politike edhe më e rëndë është se, a është kjo thjesht paaftësi dhe dështim qeverisës, apo kemi të bëjmë me një politikë që, në mënyrë të vetëdijshme, po e çon drejt degradimit arsimin shqip në Kosovë?
Nëse vazhdon kjo rrugë, atëherë merë konotacion shqetësues dilema se, a është LVV duke e shkatërruar arsimin shqip në Kosovë nga brenda, në një mënyrë që politikisht mund të krahasohet me pasojat që prodhuan masat e dhunshme të Serbisë ndaj arsimit shqip në vitet ’90?
Natyrisht, format dhe rrethanat nuk janë të njëjta. Atëherë kishim represion shtetëror serb, përjashtim institucional dhe dhunë. Sot kemi institucione të Kosovës dhe përgjegjësi të një pushteti të zgjedhur.
Pikërisht për këtë arsye përgjegjësia sot është edhe më e madhe ngase ne, nuk duhet të lejojmë që ajo që Serbia tentoi ta shkatërronte nga jashtë, ta degradoj qeverisja majtiste nga brenda.
Nëse propaganda e komiteteve partiake i thot jo këtij realiteti, le ta dëshmojë të kundërtën me rezultate.
Sepse arsimi nuk mbrohet me deklarata se “ndihem shumë mirë”. Arsimi mbrohet me rezultate, shkolla funksionale, mësues të mbështetur, laboratorë, tekste cilësore me programe tematike që mbrojnë vlerat kombëtare dhe synojnë trendet botërore në shkencë dhe fëmijë që dinë më shumë se gjeneratat para tyre, e janë kompatibil me moshatarët e tyre në botë.
Si shtylla kryesore që përbën fuqinë e një kombi, arsimi shqip është një nga fitoret më të mëdha të popullit të Kosovës. Nuk është pronë e LVV-së, e as e ndonjë partie tjetër.
Atëherë, një pyetje esenciale për LVV-në është se, nëse kjo qenka sukses, si duket atëherë dështimi?
Prandaj, ish-ministrja mund të ndihet “shumë mirë”. Por fëmijët e Kosovës dhe rezultatet e tyre janë dëshmia që duhet të na shqetësojë të gjithëve.
https://www.facebook.com/share/p/19F5Cyuerr/?mibextid=wwXIfr



