‘Liri për çlirimtarët’, nesër marshohet në Shkup në mbështetje të krerëve të UÇK-së
Forumi Rinor Shqiptar ka njoftuar se të martën, më 15 shtator, do të organizohet një marshim në Shkup në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, në prag të shpalljes së aktgjykimit në Hagë.
Sipas njoftimit, marshimi do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”, duke filluar nga ora 18:00.
“LIRI PËR ÇLIRIMTARËT! Forumi Rinor Shqiptar organizon aktivitet sensibilizues në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në Hagë, në prag të verdiktit përfundimtar”, thuhet në njoftim.
Organizatorët kanë ftuar të gjithë shqiptarët që t’i bashkohen marshimit, me qëllim të përcjelljes së mesazhit të mbështetjes për lirimin e katër ish-krerëve të UÇK-së.
“Nesër ftojmë të gjithë shqiptarët të mblidhemi për t’i dhënë një mesazh gjykatës se ata të cilët u vunë në shërbim të lirisë nën emblemën e UÇK-së nuk ka gjykatë që i gjykon, sepse UÇK-ja është e pastër. Nga Shkupi do të përcjellim zërin tonë të fuqishëm të solidaritetit dhe mbështetjes”, thuhet në njoftim.
Organizatorët kanë theksuar se UÇK-ja është pjesë e historisë shqiptare dhe se luftëtarët e saj meritojnë drejtësi.
“UÇK-ja është pjesë e historisë dhe lirisë së shqiptarëve. Luftëtarët e lirisë meritojnë vetëm drejtësi. Të gjithë bashkë për drejtësi. Të gjithë bashkë për çlirimtarët!”, është thënë tutje në njoftim.




