Franca paralajmëron shtetasit e saj në Kosovë: Shmangni tubimet dhe udhëtimet e panevojshme

15 shtator 2026 | 13:09

Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj që ndodhen në Kosovë të tregojnë vigjilencë të shtuar gjatë ditës së mërkurë, më 16 shtator.

Në një njoftim të Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme të Francës, shtetasit francezë këshillohen të qëndrojnë larg tubimeve të mëdha politike dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme brenda qyteteve dhe nëpër Kosovë.

Sipas njoftimit, më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, janë planifikuar tubime të mëdha politike në qytete të ndryshme të Kosovës.

“Thirrje për vigjilencë. Më 16 shtator, duke filluar nga ora 10:00, janë planifikuar tubime të mëdha politike në të gjitha qytetet e Kosovës. Shtetasit francezë këshillohen të qëndrojnë larg këtyre tubimeve dhe të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme brenda qyteteve dhe në gjithë vendin deri në fund të ditës”, thuhet në njoftimin e autoriteteve franceze.

Ministria franceze, në këshillat e saj për udhëtarët, rekomandon në përgjithësi që shtetasit francezë në Kosovë të qëndrojnë larg tubimeve të mëdha, veçanërisht atyre me karakter politik.

Njoftimi vjen një ditë para shpalljes së aktgjykimit në rastin “Thaçi dhe të tjerët” në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku të mërkurën, më 16 shtator, pritet të shpallet vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madridi ka vënë në shënjestër një prej mesfushorëve më…