Një ditë para vendimit, Endrit Thaçi niset drejt Hagës
15 shtator 2026
| 13:04
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, është nisur drejt Hagës, një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj babait të tij dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lajmin e ka bërë me dije ish-deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, i cili ka publikuar një fotografi me Endrit Thaçin në rrjetin social “Facebook”.
“Me Endritin, drejt Hagës. Nesër është një ditë e shumëpritur. Pas gjashtë vitesh pritjeje, shprese dhe besimi, presim vendimin lirues për Presidentin Hashim Thaçi dhe shokët e tij. Liri për çlirimtarët!”, ka shkruar Tahiri.
Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit pritet të shpallet nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë.



