Gjini pret në takim shefin e ri të EULEX-it, diskutojnë për drejtësinë dhe aktgjykimin ndaj krerëve të UÇK-së
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka pritur në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes. Lopes e ka marrë detyrën si shef i EULEX-it më 10 gusht 2026.
Gjini, së bashku me nënkryetarin e Aleancës, Burim Ramadani, ka diskutuar me Lopes për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe avancimin e sistemit të drejtësisë në vend.
“E pashmangshme në këtë takim ishte edhe çështja e vendimit të nesërm për katër ish-krerët e UÇK-së”, ka shkruar Gjini në “Facebook”.
Ai ka thënë se gjatë takimit kanë shprehur bindjen e tyre për pafajësinë e krerëve të UÇK-së, duke shtuar se beson që edhe aktgjykimi i nesërm do të jetë në përputhje me këtë bindje.
“Shprehëm bindjen tonë të palëkundur për pafajësinë e tyre, duke besuar se edhe verdikti i nesërm do të jetë në përputhje me këtë bindje”, ka shkruar Gjini.



