OJQ-të takojnë kryeprokurorin Isufaj, kërkojnë më shumë mbrojtje për gazetarët dhe aktivistët
Përfaqësues të organizatave joqeveritare kanë takuar sot kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, me të cilin kanë diskutuar për sigurinë digjitale të gazetarëve, aktivistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për nevojën e parandalimit dhe adresimit të kërcënimeve, sulmeve dhe formave të tjera të dhunës apo gjuhës së urrejtjes, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kanë shprehur kryeprokurorit Isufaj shqetësimet e tyre lidhur me rënien e lirisë së medias.
Ata kanë theksuar rëndësinë e sistemit prokurorial dhe atij të drejtësisë në mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe mediave, si dhe nevojën për rritjen e mbrojtjes ndaj aktivistëve dhe gazetarëve, duke kërkuar që këto çështje të prioritizohen.
Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Lëvizjes FOL, Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova), Sbunker, Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK), Iniciativës Kosovare për Stabilitet (IKS), Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Hibrid Info, Institutit të Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ).
Në takim kanë qenë të pranishme edhe gazetarja Saranda Ramaj dhe aktivistja Flutura Kusari.



