Vilson Sinishtaj: Liria ka emër, drejtësia duhet të dëshmojë se i shërben të vërtetës
Politikologu dhe veprimtari nga Malësia që jeton në Shtetet e Bashkuara, Vilson Sinishtaj, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Sinishtaj thekson se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë kaluar më shumë se 2.140 ditë të privuar nga liria, ndërsa ende presin përfundimin e procesit gjyqësor.
“Pothuajse gjashtë vjet nga arrestimet e nëntorit 2020. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi ende presin aktgjykimin”, shprehet Sinishtaj.
Sipas tij, pas një periudhe kaq të gjatë, tashmë është drejtësia ajo që duhet të dëshmojë transparencën, profesionalizmin dhe paanshmërinë e saj.
“Secili që ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar e ka të qartë: ata e kanë dëshmuar pafajësinë e tyre. UÇK-ja dhe populli i Kosovës e kanë dhënë provën para historisë. Tani është gjykata që duhet të dëshmojë se i shërben drejtësisë”, deklaron ai.
Sinishtaj thotë se lufta e UÇK-së duhet parë në kontekstin e saj historik dhe se përgjegjësia penale duhet të jetë gjithmonë individuale.
“Këta burra morën armët për të mbrojtur familjet, shtëpitë dhe popullin e tyre. Lufta për liri nuk mund të kriminalizohet për të zbutur përgjegjësinë e pushtetit që ushtroi dhunë, përndjekje dhe dëbim.
Përgjegjësia penale është individuale, lufta çlirimtare e një populli nuk është faj kolektiv”, shprehet politikologu.
Ai ngre pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si janë siguruar dhe verifikuar provat e përdorura në proces, duke kërkuar që çdo pretendim për manipulim apo fabrikim të hetohet në mënyrë të pavarur.
“Çdo pretendim për prova të fabrikuara nga burime serbe kërkon hetim të pavarur: kush i prodhoi, kush i kërkoi, kush i pranoi dhe çfarë verifikimi iu bë?”, pyet Sinishtaj.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij është kohëzgjatja e privimit nga liria.
“Paraburgimi nuk duhet të bëhet dënim përpara vendimit. Asnjë gjykatë nuk ka të drejtë të kërkojë fajtorë për të justifikuar ekzistencën, buxhetin apo vitet e një procesi”, thekson ai.
Sinishtaj kërkon që, nëse akuzat nuk provohen sipas standardeve të drejtësisë, ish-krerët e UÇK-së të lirohen dhe, në rast se konstatohen abuzime, të ketë përgjegjësi institucionale.
“Kërkojmë lirimin e tyre. Për çdo abuzim të provuar kërkojmë përgjegjësi dhe ndjesë publike ndaj tyre, familjeve të tyre dhe popullit të Kosovës”, deklaron ai.
Në fund të reagimit, Sinishtaj apelon që lufta e Kosovës të mos përdoret për të krijuar një baraspeshë artificiale mes agresionit dhe rezistencës çlirimtare.
“Nuk mund ta lani ndërgjegjen e agresorit duke njollosur luftën e çlirimtarëve. Nuk mund të prodhoni faj për të prodhuar baraspeshë”, shprehet ai.
Ai e përmbyll mesazhin me një thirrje të fuqishme:
“Liria e këtyre burrave nuk është borxh që duhet paguar për rehatinë e Serbisë apo reputacionin e një gjykate. Kosova nuk i detyrohet askujt të dënuar për të justifikuar çlirimin e vet.”
“Liria ka emër! Liri për çlirimtarët! Rrnoftë Shqypnia!”



