Kroacia: Vendimi i Hagës s’e ndryshon kontekstin e luftërave dhe faktin se populli i Kosovës ishte viktimë e Millosheviqit
Ministria e Jashtme e Kroacisë ka reaguar zyrtarisht pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në reagimin e saj, MPJ-ja kroate ka theksuar se është në dijeni të aktgjykimit, por ka nënvizuar se ai nuk është përfundimtar dhe se nuk dëshiron të paragjykojë rezultatin e procedurës.
“Kroacia merr në dijeni aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ky është një aktgjykim jo përfundimtar dhe ne nuk dëshirojmë të paragjykojmë rezultatin përfundimtar të procedurës”, është thënë në reagim.
Megjithatë, Ministria e Jashtme kroate ka deklaruar se aktgjykimi nuk mund ta ndryshojë kontekstin historik të luftërave në Kosovë dhe faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Në të njëjtën kohë, ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftërave në Kosovë, e as faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Millosheviqit”, është thënë reagim.
MPJ-ja e Kroacisë ka theksuar gjithashtu se përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk duhet të përdoret për relativizimin e krimeve të kryera gjatë luftës apo për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të shërbejë si bazë për relativizimin e këtyre krimeve, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, është thënë në reagim.



