Kurti për 28-vjetorin e zhdukjes së Xhavit Hazirit: U rrëmbye nga autoritetet serbe dhe mbeti i pagjetur

17 shtator 2026 | 17:04

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar aktivistin Xhavit Haziri, në 28-vjetorin e zhdukjes së tij. Kurti ka bërë homazhe pranë shtatores së Hazirit në Obiliq, duke rikujtuar rrethanat e rrëmbimit të tij më 17 shtator 1998 dhe veprimtarinë e tij politike e patriotike.

Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka deklaruar se Haziri u rrëmbye nga autoritetet e sigurisë së Serbisë dhe që nga ajo ditë vazhdon të jetë i pagjetur.

“28 vite më parë, aktivisti i shquar Xhavit Haziri, u rrëmbye nga autoritetet e sigurisë së Serbisë dhe u zhduk dhunshëm, duke ngelur i pagjetur që nga atëherë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka treguar se, për të përkujtuar jetën dhe veprën e Hazirit, ka bërë homazhe pranë shtatores së tij në Obiliq, në përvjetorin e zhdukjes.

“Për ta kujtuar jetën dhe nderuar veprën e Xhavit Hazirit, bëmë homazhe pranë shtatores së tij në Obiliq, në përvjetorin e zhdukjes së tij më 17 shtator të vitit 1998. Atë ditë, që ishte e enjte sikur edhe sot, Xhavit Haziri kishte dalë nga shtëpia e tij për të shkuar në zyrat e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, ku punonte”, ka shkruar Kurti.

Sipas Kurtit, Haziri ishte rrëmbyer teksa po kalonte pranë Xhamisë së Llapit në Prishtinë.

“Kur po kalonte afër Xhamisë së Llapit, dy zyrtarë të shërbimit të fshehtë të Serbisë e rrëmbyen dhe e futën në makinën e tyre të markës ‘Golf’, me ngjyrë të bardhë. Dëshmitarët e rastit kanë deklaruar që kjo makinë lëvizi në drejtim të rrugës ku gjendej Medreseja e Prishtinës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se katër ditë pas zhdukjes, më 21 shtator, familjarët e Hazirit e raportuan rastin në media, ndërsa ai nuk është gjetur deri më sot.

“Katër ditë më pas, më 21 shtator, familjarët e raportuan të zhdukur Xhavit Hazirin në media, por ai ka mbetur i zhdukur që nga ajo kohë deri sot”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka rikujtuar edhe biografinë dhe angazhimin politik të Hazirit. Sipas tij, ai ishte me origjinë nga Druari i Vushtrrisë, ishte shkolluar në Obiliq dhe kishte përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës.

“Me origjinë nga Druari i Vushtrrisë, aktivisti Xhavit Haziri (1960) ishte shkolluar në Obiliq, kurse kishte mbaruar studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës. Që pas demonstratave të vitit 1981, Xhavit Haziri u angazhua aktivisht në përafrimin dhe bashkimin e organizatave të fshehta politike në Kosovë, periudhë kjo gjatë së cilës ai vuajti dënim me burg nga viti 1986 deri më 1990”, ka shkruar Kurti.

Pas lirimit nga burgu, sipas Kurtit, Haziri vazhdoi veprimtarinë e tij politike dhe patriotike.

“Pas lirimit nga burgu, Xhavit Haziri e vazhdoi aktivitetin e tij politik dhe patriotik në Lëvizjen Popullore të Kosovës dhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si një nga pjesëtarët më të shquar të këtyre dy organizatave”, ka shkruar Kurti.

Në përmbyllje të postimit, Kurti e ka cilësuar Hazirin si hero të Kosovës dhe dëshmor të lirisë, duke nderuar kujtimin e tij.

“Heroi i Kosovës dhe dëshmori i lirisë së saj, Xhavit Haziri, do të kujtohet për angazhimin e tij patriotik ndër shokë në historinë e betejave të popullit të Kosovës për liri. Lavdi!”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tottenham Hotspur po shqyrton mundësinë e transferimit të sulmuesit argjentinas…