Mars, nandëdhjetë e nandë
Dafina Beqiraj
Ishte mars, nandëdhjetë e nandë,
e unë veç shtatë vjet i kisha.
Shtatë vjet,
aq pak sa me besu
se shpija asht vendi ma i sigurt n’botë,
se nana mundet me të ruejt prej çdo të keqeje,
e se kush del prej dere,
prap ka me u kthy.
Po atë mars,
njerëzit dilshin prej shpijave
e nuk u kthejshin ma.
I shihsha prej dritares,
kah ecshin me hapa t’randë,
me fëmijë për dore,
me pak tesha mbi shpinë
e me krejt jetën e lanun mbrapa.
E nana na mblidhte afër vetes.
Na shtërngonte fort,
sikur me mujtë me na mshefë
krejtve mrena krahnorit t’saj.
“Mos u tutni”, na thojke.
Po unë ia shihsha sytë.
Edhe fëmija e din
kur nana ka tutë.
Derisa erdhi dita jonë.
Erdhën edhe te dera jonë.
Nuk pata kohë me marrë asgja.
As lodrat.
As me e pa dhomën edhe nji herë.
As me e ditë
a kam me u kthy ma najherë.
Veç dola.
Shtatë vjeç.
E dera mbeti mbrapa.
Rrugës,
bota m’u dok shumë ma e madhe,
e unë shumë ma e vogël.
Pashë plaka
që ecshin të vetme,
që s’u kishte mbetë kush me i marrë për dore,
që i thirrshin emnat e t’vetëve
e zani u humbte n’mes t’turmës.
Pashë nana
që i kërkojshin fëmijët e tyne,
me duer t’zgjatuna
e me sy që kërkojshin gjithkah.
E unë ia shtrëngojsha dorën nanës.
Fort.
Aq fort,
sa kisha frikë
mos edhe dora e saj
më humbte prej dorës teme.
Kishim uri.
Buka me sheqer
m’u dokte ambëlsina ma e mirë n’botë.
Edhe sot,
kur e shoh nji copë bukë me sheqer,
nuk më kujtohet veç shija.
Më kujtohet rruga.
Më kujtohet uria.
Më kujtohet nana.
Më kujtohet ajo vajzë shtatëvjeçare
që s’kërkonte lodra,
as çokollata.
Kërkonte veç ujë.
E kur ujë s’kishte,
hanim borë maleve.
E merrshim me duer,
e shtijshim n’gojë,
e ajo borë e ftohtë
na e shuente etjen veç pak,
sa me pasë fuqi
me i ba edhe do hapa.
Rreth nesh,
turma njerëzish.
Fëmijë, nana, burra, plaka e pleq.
Nji lumë njerëzish
që s’e dinte ku po shkonte,
po e dinte veç nji sen:
duhej me ecë.
Me ecë për me mbërrijtë mbramjen.
Me ecë për me e pa mëngjesin.
Me ecë për me jetu
edhe nji ditë ma shumë.
E mbi kryet tona
kalojshin krismat.
Unë nuk e kuptojsha luftën.
Nuk e kuptojsha
pse duhej me ikë prej shpisë teme?
Pse njerëzit qajshin?
Pse nanat i kërkojshin fëmijët?
Pse plakat ecshin të vetme?
Pse krejt ajo turmë
kishte vetëm nji dëshirë:
me mbetë gjallë?
Veç e dijsha
se sa herë që nana
ma shtrëngonte dorën,
duhej me vazhdu.
Edhe nji hap.
Edhe nji.
Edhe nji.
Sot kanë kalu shumë vjet.
Po mrena meje
ajo vajzë ende i ka shtatë.
Ende rrin te ajo derë.
Ende e kthen kryet kah shpija.
Ende e ndien dorën e nanës.
Ende e han borën për ujë.
Ende e mban n’dorë
nji copë bukë me sheqer.
E ndonjëherë e pyes:
“Qysh munde me ecë?”
Ajo nuk flet.
Veç ma zgjat dorën.
Se atë mars
na nuk ecshim veç prej nji vendi n’tjetrin.
Na ecshim
kah jeta.
E për nji vajzë shtatëvjeçare,
jeta atëherë
ishte veç dora e nanës
që nuk guxonte me u lëshu.
shtator,2026



